Gjatës ditës së sotme u raportua në media se Gjykata Speciale ka mbajtur ligjëratë me nxënësit e shkollës ‘Xhevdet Doda’ në Prishtinë.
Nga ky gjimnaz, në reagimin e tyre zyrtar, nuk kanë mohuar mbajten e kësaj ligjërate por kanë theksuar se e njëjta është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR).
“Qëllimi i kësaj ligjërate ka qenë informimi i nxënësve mbi sistemin e drejtësisë, llojet e gjykatave dhe mënyrën e funksionimit të tyre, përfshirë edhe gjykatën e Kosovës që funksionon në Hagë, në kuadër të një informimi të përgjithshëm dhe edukativ. Gjatë ligjëratës janë trajtuar procedurat dhe funksionimi i gjykatave në mënyrë neutrale dhe informative” thuhet në reagimin e shkollës raporton “Gazeta Blic”.
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic” njohësja e zhvillimeve politike në vend, Afërdita Maliqi.
Maliqi tha se ‘të lejohet që Gjykata Speciale të mbajë ligjëratë qysh “UÇK-ja qenka organizatë e përbashkët kriminale”, në Gjimnazin “Xhevdet Doda”, është skandal’
Ajo potencoi se është e pafalshme nga menaxhmenti i shkollës që t’i lejohet kësaj gjykate të indoktrinojë të miturit.
Maliqi tutje u shpreh se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duhet të shkarkojë menjëherë drejtorin e Arsimit në Komunë bashkë me krejt menaxhmentin e shkollës ‘Xhevdet Doda’.
“Të lejohet që Gjykata Speciale të mbajë ligjëratë qysh “UÇK-ja qenka organizatë e përbashkët kriminale”, në Gjimnazin “Xhevdet Doda”, është skandal, e pabesueshme dhe e pafalshme! Kjo tregon se kjo gjykatë kujdeset më shumë për perceptimin sesa për drejtësinë”
“Por, t’i lejohet të indoktrinojë të miturit kjo është e pafalshme nga menaxhmenti i shkollës. Andaj, Përparim Rama duhet të shkarkojë menjëherë drejtorin e Arsimit në Komunë bashkë me krejt menaxhmentin e shkollës ‘Xhevdet Doda’, pas këtij skandali” tha Maliqi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


