Lajme

Maliqi: Qytetarët duhet të vetëdijësohen, të kërkojnë largimin e bllokuesve nga institucionet që i kanë uzurpu!

07/24/2025 18:35
nga:Y I

Nesër është seanca e fundit që mbahet brenda afatit 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.

Deputetët pritet t’i drejtohen këtij institucioni në përpjekjen e 52-të për konstituimin e tij.

Se çfarë pritet të ndodhë nesër dhe a mund të kemi konstituim të Kuvendit, ka folur për “Gazeta Blic” njohësja e zhvillimeve politike në vend, Afërdita Maliqi.

Maliqi tha se deri tani nuk ka ndonjë sinjal që ka ndonjë marrëveshje politike, që do të vinte te konstituimi i Kuvendit.

Ajo tha se krejt kjo po vjen si pasojë e Albin Kurtit i cili nuk ka vullnet dhe se të njëjtit i konvenon kjo situatë.

“Jemi në limitin e afatit kushtetues, por deri më tani nuk ka një sinjal që ka ndonjë marrëveshje politike, që do të vinte te konstituimi i Kuvendit, edhe kjo krejt për pasojë të Albin Kurtit, i cili siç po shihet ska vullnet dhe po i konvenon kjo situatë”

Ndërsa sa i përket kërkesës që Presidentja Osmani ka dërguar në Kushtetuese në lidhje me situatën në Kuvend, Maliqi, tha se iniciativa ishte me vonesë.

“Limaj ja ka ofru mundësinë e një bashkëpunimi në Parlament, por pavarësisht lojëve të fjalëve Kurti ska qenë i gatshëm. Kjo situatë e fut Kosovën në një paprecedent, sepse nuk e dimë se si të veprohet pas këtij afati kushtetutes. Pavarësisht, se dy ditë më parë kemi pas një kërkesë drejtuar Kushtetueses nga Presidentja pikërisht për çështjen e kompetencave, por ajo iniciativë e Osmanit ka ardh me shumë vonesë” deklaroi ajo.

Ajo tha se qytetarët duhet të vetëdijësohen dhe të kërkojnë largimin e bllokuesve nga institucionet që i kanë uzurpu.

“Pas kësaj gjendje që e ka krijuar VV, duke rrezikuar themelin e instititucioneve demokratike, të cilat institucione janë krijuar pas një sakrifice të madhe të këtij populli, falë luftës çlirimtare të UÇK dhe ndihmës së faktori ndërkombëtar, qytetarët duhet të vetëdijësohen dhe të kërkojnë largimin e bllokuesve nga institucionet që i kanë uzurpu” tha Maliqi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Nesër është tentativa e 52-të me radhë për konstituimin e Kuvendit.

/Gazeta Blic/