Lajme

Maliqi për takimin e Ohrit: Kurti i lutet zotit që Vuçiqi të mos nënshkruaj, që ai, si dikur Hashim Thaçi, të dal përfitues!

1 vitë më parë
nga:Y I

Publicisti Shkëlzen Maliqi, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”, ka deklaruar se nuk është e sigurtë që mund të nënshkruhet një marrëveshje me 18 mars në Ohër.

Kjo sipas Maliqit, mund të ndodhë për faktin, se edhe Kurti dhe Vuçiq kanë dal me deklarata kontestuese ndaj marrëveshjes së aprovuar në parim.

“Nuk është gjithçka e sigurtë se marrëveshja do të firmosët në Ohër, sepse të dy liderët, edhe Kuri edhe Vuçiq, në ndërkohë kanë dal me deklarata kontestuese ndaj marrëveshjes së aprovuar në parim.Kjo vlen më shumë për Vuçiqin i cili e ka opozitën në Serbi shumë më radikale dhe më të rrezikshme. Me Kurtin është ndryshe, me gjasa ai ka hequr dorë nga kërkesa maksimale e njohjes së ndërsjellë të dy vendeve, që plani i BE-së e shtyen për të ardhmen (të paktën 10 vjet), dhe hallin e ka vetëm te Asociacioni i komunave me shumicë serbe, që të mos jetë parakusht i implementimit të marrëveshjes, dhe të mos ketë karakter mono-etnik. Disa mendojnë që, duke u nisur nga sjellja obstruktive e Vuçiq dhe Kurtit ndaj dialogut në disa vite të fundit që nuk donin të nënshkruanin asgjë përderisa nuk mund ta arrinin maksimumin e kërkesave, se edhe në Ohër do të provojnë të bëjnë obstrukcion, duke blerë kohë shtesë për manovrime” deklaroi Maliqi për “Gazeta Blic”

Maliqi tutje duke folur për planin franko-gjerman, tha se, aneks marrëveshja nuk është problem i madh nëse parimet janë pranuar me sinqeritet.

“Pajtimi me planin franko-gjerman, që në ndërkohë është riemërua në plan të BE-së, dhe që e ka edhe përkrahjen e SHBA-ve, është arritur para disa javësh, si zotim gojor rreth parimeve themelore, por është lënë për më vonë nënshkrimi i këtij formati të marrëveshjes sepse mungon elementi i rëndësioshëm i hartës ose planit të implementimit, që përcakton më detalisht pjesët e ndieshme të marrëveshjes dhe afatet e realizimit. Gjithësesi, nuk mendoj se aneks marrëveshja është problem i madh, nëse parimet janë pranuar me sinqeritet. Aneksi besoj se tashmë është negociuar dhe shoshitur nga grupet e ekspertëve por nuk ka pasur dakordime të plota, andaj iu është dhënë të dy palëve edhe pak kohë që eventualisht në Ohër me 18 mars, të firmosët marrëveshja e kompletuar. Ky është skenari i BE-së, që  më fund të lëvizet përpara në zgjidhjen e kontestit që bllokon jo vetëm Kosovën dhe Serbinë por edhe rajonin” tha ai.

Publicisti Maliqi tha se kryeministri Kurti tani “i lutet zotit që Vuçiqi të mos nënshkruaj, që ai, si dikur Hashim Thaçi, të dal përfitues”

“Për Kurtin, dyshohet se deklarohet thuajse i entuziast për nënshkrim, ngase beson se Vuçiqi nuk do ta nënshkruaj aneksin e marrëveshjes, duke shpresuar se do të përsëriten historitë e negociatave të Rambujes dhe Vienës, kur Serbia i kundërshtoj propozimet dhe u ndëshkua, kurse Kosova i pranoj dhe përfitoj më shumë seç kishte në ofertat e Rambujes dhe Planit të Ahtisarit. Kryeministri Kurti tani i lutet zotit që Vuçiqi të mos nënshkruaj, që ai, si dikur Hashim Thaçi, të dal përfitues”

Ai tha se Kurti me shumë vështirësi po i përshtatet politikave pragmatiste dhe se ende nuk është çliruar nga ankthi përçmues radikalo-majtist për “Amelikën”

“Por në këtë kalkulim, është një kleçkë për te. Thaçi (më parë edhe Ibrahim Rugova) në gjithë proceset e shtetndërtimit të Kosovës janë koordinuar ngushtë me SHBA-të dhe Perëndimin, kurse Kurti me shumë vështirësi po i përshtatet politikave pragmatiste, ende nuk është çliruar nga ankthi përçmues radikalo-majtist për “Amelikën” si gogole imperializmit” deklaroi Maliqi për “Gazeta Blic”

Me 18 mars në Ohër pritet të takohen kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Në këtë takim pritet të marrë pjesë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

Ky takimi vjen pas takimit të mbajtur në Bruksel me 27 shkurt ku të dy palët u pajtuan në parim për planin franko-gjerman por nuk u arrit të firmoset asnjë marrëveshje.

/Gazeta Blic/