Lajme

Maliqi: Opozita, në asnjë mënyrë nuk duhet ta votojë Vjosa Osmanin për presidente

01/08/2026 17:36
nga:Genita C

Analistja politike, Aferdita Maliqi, thotë se presidentja Vjosa Osmani nuk i ka përmbushur parimet bazë që duhet t’i ketë një president i vendit dhe se nuk e meriton një mandat të dytë.

Maliqi në një prononcim për GazetaBlic thekson se presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe jopolitike, ndërsa sipas saj, Osmani asnjëherë nuk është distancuar nga përkatësia partiake.

“Presidenti i vendit duhet të jetë një person unifikues, jopolitik, dhe besoj se këto duhet të jenë parime bazë kur dikush merr pozitën e presidentit. Vjosa Osmani nuk është liruar kurrë nga petku politik dhe ka qenë presidente e partisë në pushtet. Shpesh ka qenë e lënë jashtë loje nga ana e Kurtit, por megjithatë ka mbajtur vazhdimisht anën e tij. Një presidente që sulmon edhe Gjykatën Kushtetuese vetëm për t’iu përshtatur diskursit të Kurtit”, ka thënë Maliqi.

Sipas saj, Osmani nuk ka treguar rezultate konkrete as gjatë kohës sa ishte deputete dhe as si presidente, për të merituar edhe një mandat tjetër.

“Pra, nuk e shoh asnjë punë të mirë që e ka bërë e që e meriton edhe një mandat tjetër, as kur ka qenë deputete e as si presidente. Karriera e saj politike njihet duke i kundërshtuar bashkëpartiakët e vet dhe duke e akuzuar Hashim Thaçin, por jo për ndonjë kauzë apo iniciativë konkrete në të mirë të vendit”, ka deklaruar ajo.

Duke folur për zhvillimet e ardhshme politike, Maliqi thekson se kryeministri Albin Kurti nuk ka obligim që ta nominojë sërish Osmanin për presidente.

“Në anën tjetër, Kurti i ka fituar zgjedhjet dhe nuk ka asnjë obligim ta nominojë edhe një herë, sepse obligimin ndaj saj e ka kryer pesë vite më parë”, ka thënë Maliqi.

Po ashtu, ajo ka shtuar se as partitë opozitare nuk duhet ta mbështesin Osmanin në rast se emri i saj procedohet në Kuvend.

“Mendoj se as partitë opozitare nuk duhet në asnjë mënyrë, nëse emri i saj vjen në Kuvend, ta votojnë”, përfundoi Maliqi.