Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka ftuar për nesër seancën konstituive të Kuvendit.
Kështu kanë bërë të ditur përmes një njoftimi për media nga Presidenca.
“Presidentja Vjosa Osmani thërret seancën konstituive të Kuvendit më 11 shkurt në orën 12:00Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00” thuhet në njoftim raporton “Gazeta Blic”.
Por a pritet të kemi sërish vonesa apo mund të formohet shpejt Qeveria pasi Albin Kurti dhe LVV-ja i kanë votat e nevojshme?
Në lidhje me këtë çështje ka folur për “Gazeta Blic” publicisti i njohur, Shkëlzen Maliqi.
Maliqi tha se Kurti tashmë nuk ka arsye për zvarritje dhe se i njëjti po ngutet në konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë sepse i kanë votat e sigurta dhe se i duhet sa më parë aprovimi i buxhetit.
Por sipas tij ndarja e posteve në Kuvend dhe Qeveri pritet të tregojë kahjen e Qeverisë Kurti.
“Kurti nuk ka më arsye për zvarritje, përkundrazi po ngutet me konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë sepse i ka votat e sigurta dhe i duhet sa më parë aprovimi i buxhetit, opozita s’ka vota e besoj as dëshirë për ta penguar.Por, me siguri do të ketë disa marifete me ndarjen e posteve kyçe edhe në Kuvend edhe në qeveri që do të tregojnë kahjen e qeverisjes të Kurtit” deklaroi publicisti Maliqi.
Maliqi tutje potencoi se pas aprovimit të buxhetit mbetet të shihet se çfarë Kurti ka ndërmend të bëjë me zgjedhjen e Presidentit.
Sipas tij mbetet të shihet nëse dëshiron sërish t’a dërgojë vendin në zgjedhje që sipas Maliqit mund të mbahen në qershor kur edhe vjen diaspora në pushime.
Ai tha se nëse mbahen sërish zgjedhje, Kurti, ka gjasa që edhe një herë ta bëjë kurban LDK-në që përbrenda duket e trazuar.
“Pasi që të kryhet urgjenca me buxhetin, mbetet të shpaloset se çka ka të bëjë ndërmend me zgjedhjen e Presidentit ose Presidencës dhe mos po ka dëshirë që të shkohet edhe një një palë zgjedhje që mund ti arazhoj për fund të qershorit kur sërish llogarit në ardhjen dhe votën e diasporës për të arritur fitorën edhe më te thellë dhe më poshtëruese për PDK-në dhe LDK-në.Ka gjasa që edhe një herë ta bëjë kurban LDK-në që përbrenda duket e trazuar dhe në knock-down” tha Maliqi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


