Deklaratat e kryeministrit Kurti për hapjen e Urës së Ibrit sollën një reagim të fortë ndërkombëtar.
Të njëjtit theksuan se një veprim i tillë nuk duhet të ndërmerret tani pasi rrezikon të sjellë tensione.
Për të diskutuar në lidhje me këtë çështje erdhi pak ditë më parë në Kosovë edhe Shefi i CIA-s, William Burns, i cili zhvilloi takim me kryeministrin Kurti.
Por, pak ditë pas kësaj vizite, Kurti ndërmori aksionin e radhës në Veri, mbylljen e institucioneve paralele.
Kjo solli reagimin e ndërkombëtareve, NATO-s, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore, të cilët këtë aksion e cilësuan si ‘të pakoordinuar’ me aleatët perëndimorë dhe me rrezik për sigurinë.
I ashpër në reagim ishte edhe Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën, Jim O’Brien.
Ai i bëri thirrje kryeministri Kurti që të konsultohet në lidhje me veprimet që ndërmerr dhe të mos e ndikojë negativisht partneritetin Kosovë-SHBA.
“Siç e bëri të qartë ambasada e SHBA-së në Kosovë se SHBA-ja është e shqetësuar nga vazhdimi i veprimeve të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës. Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë EULEX-in dhe KFOR-in, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjithë të përfshirët dhe të prekurit. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe të koordinohen me komunitetin ndërkombëtar dhe të ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”, ka shkruar ai raporton Gazeta Blic.
Por si pritet të ndikojë në raportet Kosovë-SHBA, një qasje e tillë e kryeministrit Kurti?
Njohësja e zhvillimeve politike në vend, Afërdita Maliqi, tha për “Gazeta Blic” se Kurti që kur ka ardhur në pushtet ka vepruar me logjikën e kundërshtimit që e ka pas në opozitë duke kundërshtuar në vazhdimësi edhe amerikanët.
Maliqi tha se veprimet e njëanshme të Kurtit kanë ndryshuar edhe qasjen e amerikanëve ndaj Qeverisë .
“Kryeministri Kurti që kur ka ardhur në pushtet ka vepruar me logjikën e kundërshtimit që e ka pas në opozitë dhe fatkeqësisht ka kundërshtuar në vazhdimësi edhe këshillat amerikane. Veprimet e njëanshme të Kurtit kanë ndryshuar edhe qasjen e amerikanëve ndaj Qeverisë dhe kemi pas një izolim të kësaj Qeverie, pikërisht për shkak të sjelljeve të pakordinuara”
Ajo tha se ,nëse Kurti do të vazhdojë me veprime të njeanshme, do të kemi nje izolim edhe me të madh të kesaj Qeveria.
“Nese, Kurti do të vazhdoje serish me veprime të njeanshme, edhe pas thirrjes së vazhdumeshme amerikane, do të kemi nje izolim edhe me të madh të kesaj Qeverie. Kurti duhet t’a kuptojë se Kosova nuk mund të ecë e vetme nese nuk ka mbeshtjen amerikane” tha Maliqi në pergjigjen dhënë për “Gazeta Blic”
/Gazeta Blic/


