Lajme

Maliqi: Largimi i Rrahmanit dhe Korenicës, nuk ka kurrfarë rëndësie për VV’në

10/01/2024 20:18
nga:G C

Analistja politike Afërdita Maliqi ka komentuar largimin e dy deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), të cilët janë shprehur kundër Kodit Civil dhe Aktit Nënligjor të Ministrisë së Arsimit që rregullon uniformat shkollore, duke ndaluar përdorimin e shamisë në shkolla.

Sipas Maliqit, këta deputetë, pas paralajmërimeve për votë kundër, vendosën të largohen nga VV, duke e kuptuar se Qeveria Kurti nuk mbështeti këto kauza.

“Dy deputetët e VV-së kanë qenë të zëshëm kundër Kodit Civil, duke paralajmëruar votën kundër. Gjithashtu, ata kanë kundërshtuar Aktin Nënligjor të Ministrisë së Arsimit që definon çështjen e uniformës shkollore, pra që nuk lejon përdorimin e shamisë në shkolla. Duke parë se këto dy kauza të tyre nuk u mbështetën nga Qeveria Kurti, ata vendosën të largohen në fund të mandatit”, tha Maliqi.

Maliqi për GazetaBlic thekson se largimi i tyre erdhi si pasojë e faktit që ata nuk ishin më të nevojshëm për VV dhe se e kishin kuptuar këtë situatë. Ajo e vlerëson largimin si një veprim të motivuar nga interesa personale, duke u bashkuar me parti që ndajnë të njëjtën ideologji.

“Largimi i tyre vjen duke marrë parasysh se ata nuk i duhen më VV-së; pra, për VV-në ata nuk janë të rëndësishëm dhe ata e kanë ditur këtë fakt, kështu që realisht nuk ka asnjë rëndësi largimi i tyre. Ata janë larguar për çështje të veta personale, duke u bashkuar me partitë që kanë të njëjtën frymë si ata”, shtoi tutje Maliqi.

Analistja po ashtu thekson se këta deputetë nuk kanë pasur iniciativa të rëndësishme në Kuvend lidhur me zhvillimet ekonomike apo çështje të tjera të rëndësishme për vendin. Përkundrazi, ata janë bërë të njohur kryesisht për kundërshtimet ndaj ligjeve dhe aktëve nënligjore që lidhen me fenë, duke pretenduar se po “mbrojnë familjen”.

“Këta dy deputetë nuk njihen për iniciativa të rëndësishme në Kuvend që lidhen me zhvillime ekonomike ose çështje të tjera të rëndësishme për vendin; përkundrazi, janë bërë të njohur duke kundërshtuar ligje dhe akte nënligjore që lidhen me fenë, dhe ata e konsiderojnë se po “mbrojnë familjen”, përfundon Maliqi për GazetaBlic.

Haliti: Albin Kurti është lodhur nga udhëtimet e kota, është mërzitur nga vizita me zero sukses në Amerikë

Zemaj: Ky mandat dështimi po mbaron, shumë shpejt përfundon edhe keqqeverisja e VV’së