Lajme

Maliqi: Albin Kurti që 20 vjet i ndryshon fjalët totalisht, s’e ka mund Serbinë sepse Asociacioni do të bëhet!

09/26/2023 13:41
nga:Y I

Publicisti i njohur, Shkëlzen Maliqi, në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic” ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të vendit.

I pyetur se si duhet të vazhdojë Kurti në procesin e dialogut, Maliqi pati këtë përgjigje.

“Kryeministri Kurti që 20 vjet i ndryshon fjalët totalisht, prej një majtisti ekstrem, prej dikujt që ka dashur t’i bashkojë Shqipërinë dhe Kosovën, pastaj me ardhë në pushtet me anë të Revolucionit. Ka hyrë edhe në jetën parlamentare por e dimë krejt historinë e tij. Por shpesh i fshin, ai krejt historinë e Lëvizjes Vetëvendosje e ka fshirë para dy vitesh, prap nesër munden me e fshi dhe me than kjo ka qenë taktika ose strategjia jonë. Po shoh se përkrahësit e tij po thonë se kjo është ‘pjellë’ e gjenialitetit të Kurtit që ka ndodh kjo(ngjarja në veri) dhe e mujtëm Serbinë. S’e ke mujt sepse krejt ato që i kemi në Kushtetutën tonë edhe ‘Plani i Ahtisarit’ ende vlejnë dhe duhet të krijohet vetqeverisja për serbët apo Asociacioni i Komunave Serbe sepse është një obligim që edhe Kuvendi i Kosovës e ka pranu” deklaroi Maliqi për “Gazeta Blic”

Maliqi tha se duhet të bëhet marrëveshja sipas propozimit franko-gjerman dhe të hapet rruga për integrim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Duhet të bëhet marrëveshja sipas propozimit franko-gjerman sepse nuk ka ndonjë variant tjetër të lehtë me e kapërcy këtë gjendje që po zgjat që prej çlirimit të Kosovës. Mirë është që kjo gjendje të kapërcehet dhe të hapet rruga për integrimin në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO. Këto janë dy objektiva të realizueshëm nëse bëhet kjo marrëveshje” deklaroi Maliqi për “Gazeta Blic”