Ish trajneri i grupmoshës U19 të Kosovës, Adil Maliqi, është deklaruar para ndeshjes mes Sllovenisë dhe Kosovës.
Ky takim zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:45, atje ku ‘Dardanët’ synojnë pikët e plota dhe që ta vulosin kualifikimin në ‘Play Off’ të Kupës së Botës.
Në prononcimin e tij për ‘GazetaBlic Sport’, Maliqi tha se Kosova duhet të ketë kujdes nga Sllovenia, sepse është një kombëtare mirë e komponuar.
“Sllovenia është një skuadër e ndërtuar prej kohësh, pra futbollistet njihen shumë mirë me njëri-tjetrin. Poashtu, është një kombëtare që pranon shumë pak gola. Kjo kombëtare shihet si shumë e rrezikshme në kundërsulm, duke na rrezikuar në formë të tillë disa herë në ndeshjen e parë, ku ishin edhe më afër fitores sesa ne. Nëse luajmë në formë të tillë, do ta kemi shumë të vështirë t’i marrim tre pikë. Shpresoj që trajneri do të ndryshojë diçka në formacion dhe poashtu mënyrën se si do t’i qasemi kundërshtarit”, tha fillimisht Maliqi.

Tutje, ai shtoi se kjo ndeshje dallon nga ajo me Suedinë, andaj duhet ndryshuar diçka në formacion, gjithmonë bazuar tek plani i lojës që do të ndërtohet nga trajneri Foda.
“Në Suedi ka qenë ndeshje tjetër. Atje më shumë kemi synuar të mbrohemi dhe të sulmojmë nga kundërsulmet, kurse ndaj Sllovenisë, ne duhet të sulmojmë nga minuti i parë për të siguruar fitore. Asnjëherë nuk kemi qenë më afër për të siguruar një sukses të madh për Kupën e Botës. Jemi në ‘Pole Positon’ dhe duhet ta shfrytëzojmë momentin e mirë që e kemi”, përfundoi Maliqi.
/GazetaBlic Sport/


