Analisti kosovar, Agon Maliqi, ka shkruar për dy emrat që tashmë duket se presidenti i zgjedhur, Donald Trump, do t’i emërojë në pozita kyçe në administratën e re. Bëhet fjalë për Marco Rubio që pritet të jetë Sekretar i Shtetit dhe për Mike Waltz në pozitën e Këshilltarit për Siguri Kombëtare.
Sipas Maliqit, bazuar në rrethanat aktuale, është zhvillim pozitiv sa i përket aspektit të politikave të sigurisë, fakti që këta dy emra do të jenë në këto dy pozita. Analisti kosovar thotë se të dy emrat, Rubio dhe Waltz, i përkasin linjës tradicionale republikane më të afërt me presidentin Bush.
“Të dy i përkasin linjes tradicionale republikane më të afërt me, ta zëmë, Presidentin Bush, dhe jo me rrymat izolacioniste që do të përkuleshin përballë Rusisë. Agjendën MAGA dhe përmbushjen e apetiteve të militantëve deri tani Trump duket se e ka përqëndruar te politika e brendshme, ndërkohë që te e jashtmja shenjat janë për “vazhdimësi republikane.”” , ka shkruar Maliqi.
Sa i përket Kosovës dhe Ballkanit, Maliqi thotë se të dy emrat kanë pasur pak ndërvëprim, megjithatë thotë se duke qenë në komisione në Senat e Kongres e kanë parasysh pasqyrën historike të zhvillimeve.
Analisti kosovar tutje ka shtuar se ky nivel kaq i lartë i zyrtarëve në Administratë s’do të merren drejtpërdrejt me rajonin, ata megjitahtë do ti përcaktojnë kornizat dhe eventualisht mund të ketë ndonjë takim korridoreve me përfaqësuesit e shtetit të Kosovës.
Pozita e Asistentit të Sekretarit për Evropë është një pozitë me rëndësi sipas Maliqit. Ai në fund thotë se ajo që mbetet shqetësuese është infrastruktura ndikuese e Kosovës, jo vetëm në Washington por edhe në Evropë, meqë sipas tij, është përtokë nga humbja e kredibiltietit dhe besimit.
“Duhet theksuar se ky nivel i lartë i vendimarrësve, njësoj si në administratën Biden, nuk do të merret drejtpërdrejtë me rajonin, i përcaktojnë kornizat, dhe eventualisht do të mund të takohen nga tanët korridoreve. Rëndësi “operative” do të ketë pozita e Asistentit të Sekretarit për Evropë. Por i rëndësishëm tani për tani është sinjali se nuk kemi përmbysje të politikës së madhe por thjesht ndyrshim taktik kursi. Ajo që mbetet shqetësuese është se infrastruktura ndikuese e Kosovës, jo vetëm në Uashington por edhe kudo në Evropë, ka rënë për toke nga humbja e plotë e kredibilitetit dhe besimit në këtë qeveri e cila, për shkak të qasjes së saj, ia ka dorëzuar Beogradit dhe lobit serb në Uashington çelësin e marrëdhënieve me rajonin”, ka përfunduar Maliqi.