Lajme

Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria mbyllin hapësirat e tyre ajrore para vizitës së Lavrovit në Beograd

06/05/2022 17:42
nga:Astrit Gashi

Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë ndaluar fluturimin e avionit që do të lejonte ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov ta vizitonte nesër Beogradin, ka raportuar e përditshmja serbe, Danas.

Në të njëjtën kohë, zyra e presidentit të Serbisë ka njoftuar se nesër Aleksandar Vuçiq në orën 10:00 do të takohet me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandar Bocan-Kharchenko.

Kryediplomati rus pritet ta vizitojë Serbinë më 6 dhe 7 qershor, teksa janë planifikuar takime me Aleksandar Vuçiqin dhe ministrin serb, Nikola Selakoviq.

Po ashtu, është thënë se ministri rus Lavrov do ta takojë kryeparlamentarin serb, Ivica Daçiq dhe patriarkun e Kishës Ortodokse serbe.

Më herët, kryeministrja serbe, Ana Brnabiq deklaroi sot se situata rreth mbërritjes së ministrit të Jashtëm rus në Beograd është “jashtëzakonisht e komplikuar” dhe se Vuçiq po merret me logjistikën e udhëtimit të tij.

“Është vërtet e pabesueshme që situata në Evropë dhe në botë është e tillë që presidenti i një vendi duhet të merret me gjëra të tilla, siç është logjistika e udhëtimit të një ministri të jashtëm, që përcakton nëse ai do të vijë apo jo”, tha Brnabiq për Pink TV dhe shtoi se ka pasur probleme me “për fluturimet”.