Lajme

Mali i Zi futet në ‘Open Balkan’, deputetja e LDK-së: Serbia nuk e njeh Kosovën, jemi kundër kësaj nisme

06/07/2022 20:45
nga:G B

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes një njoftimi në Facebook, ka thënë se Mali i Zi është futur zyrtarisht në Ballkanin e Hapur.

Në takimin që po mbahet sot në kuadër të nismës ‘Open Balkan’ në Ohër, po merr pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Kosova është shprehur kundër kësaj iniciative që nga fillimi dhe vazhdon kundërshtimin e saj.

Lidhur me këtë, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë për Gazeta Blic se qëndrimi i saj dhe i LDK-së është i njohur, kundër Ballkanit të Hapur, derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.

“Qëndrimi im si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, por edhe ai Lidhjes Demokratike të Kosovës është i qartë karshi kësaj çështje. Ne konsiderojmë se integrimi ekonomik ballkanik ka kuptim vetëm atëherë kur paraprihet me njohje politike. Serbia nuk e njeh Kosovën. Prandaj, në këtë kontekst, kufijtë marrin edhe më shumë kuptim. Ne jemi kundër që të bëhemi pjesë e ‘Mini Schengenit’ apo ‘Open Balkan’”, ka deklaruar Krasniqi për Gazeta Blic.

Ndryshe, së fundmi për këtë nismë është deklaruar ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili ka shprehur përkrahje për këtë iniciativë.

Kjo ka ngjallur reagime të shumta, derisa kanë thënë se Lavrov ka vërtetuar se Ballkani i Hapur është projekt serbo-rus./Gazeta Blic/