Lajme

Mali i Zi, Forcat pro-serbe fituese në zgjedhjet lokale në Podgoricë dhe disa komuna tjera

10/24/2022 08:56
nga:G C

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve vendore në 14 komuna në Mal të Zi, tregojnë për një fitore të forcave politike të cilat nga BE-ja dhe SHBA-ja konsiderohen pro-ruse dhe pro-serbe, e të cilat i fituan edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.

Pavarësisht se nga ato forca politike që njihen si pro-serbe (Fronti Demokratik) kanë lindë forca politike që veten e konsiderojnë parti me orientim qytetarë, siç është partia “Demokratët” e Aleksa Beçiqit dhe partia e sapoformuar “Evropa Tani”. Këto së bashku me Frontin Demokratik tashmë janë forcat kryesore politike në Mal të Zi.

Pavarësisht se koalicioni i mbledhur rreth DPS-së të presidentit aktual Milo Gjukanoviq, fitoi më shumë vota megjithatë “Fronti Demokratik”, “Demokratët” dhe partia e sapo themeluar “Evropa Tani”, në një koalicion të mundshëm mund të ushtrojnë pushtetin në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricën.

Ndërkaq, partia e Dritan Abazoviqit, URA në koalicion me lëvizjen CIVIS dhe Alternativën Shqiptare fituan vetëm 6.3% të votave në Podgoricë.

Sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik (CDT) edhe pse partia e presidentit Djukanovic fitoi më së shumti mandate në disa qytete, për shkak të mungesës së koalicioneve të mundshme pas zgjedhore, pushtetet vendore do të formohen nga kundërshtarët e tyre politikë.

Përveç Podgoricës, DPS me aleatët e vet humbi Danilovgradin, Kolashinin, Zhablakun, Plevlen, kurse arriti të mbajë pushtetin në Bijelo Pole dhe Tivar. Ndërkaq, Fronti Demokratik pro-serb arriti ta ruaj pushtetin absolut në qytetin bregdetar, Budva, raporton Malësia.org, transmeton Klankosova.tv.

Këto zgjedhje u vlerësuan si shumë të rëndësishme pasi gara u zhvillua mes dy grupimeve politike që kanë dominuar prej vitesh në Mal të Zi. Në njërën anë ishin partitë pro-malazeze të udhëhequra nga DPS e presidentit aktual, Milo Djukanovic, që mbi 30 vite e mbanin pushtetin në Mal të Zi dhe në anën tjetër ishin partitë që fituan zgjedhjet e vitit 2020, të njohura si grupimi pro-serb/pro-rus, por edhe grupimet e daluna nga ata, e që sot deklarohen si parti me orientim qytetarë.

Zgjedhjet mbahen në kulmin e krizës politike në vend, kur qeveria në largim e kryeministrit Dritan Abazoviq humbi besimin dhe shumica parlamentare nuk arriti të formonte një qeveri të re. Kështu që këto zgjedhje janë edhe një test për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Mal të Zi.

Zgjedhjet vendore u mbajtën në 14 komuna në Mal të Zi dhe sipas vëzhguesve që e monitoruan procesin zgjedhor, ai ishte mjaft i qetë dhe demokratik.