Lajme

Mali i Zi, analistët të shqetësuar për riorganizimin e qeverisë me përfaqësues pro-serbë dhe pro-rusë

03/09/2024 20:29
nga:Y I

Analistët në Malin e Zi thonë se riorganizimi i qeverisë me përfaqësues të partive pro-serbe dhe pro-ruse, që pritet të bëhet muajve në vijim, paraqet shqetësim për të ardhmen e vendit.

Kjo lëvizje sipas tyre, do të ndikojë negativisht në procesin e integrimit evropian të vendit.

Riorganizimi i qeverisë së Malit të Zi dhe përfshirja në të e përfaqësuesve të partive pro-serbe dhe pro-ruse, që pritet të bëhet ditëve në vijim, sipas analistëve mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimeve evropiane.

Shqetësimi është edhe më i madh pasi përfaqësuesit e këtyre partive u kundërvihen vlerave euroatlantike.

Analisti Ismet Kallaba vë në dukje rikthimin e nacionalizmit nëpër institucione me deklarata dhe veprime të ndryshme.

“Nëse deri në gusht të vitit 2020 luftën e tyre e kanë zhvilluar jashtë sistemit duke mos qenë në pushtet, nga ky vit duke hyrë në pushtet bëjnë luftë nga brenda dhe e kanë më të lehtë.

Për çdo ditë jemi dëshmitarë të deklaratave dhe veprimeve të ndryshme të partive pro-serbe dhe pro-ruse”, tha zoti Kallaba.

Analistja Suzana Ganiç vlerëson se riorganizimi i qeverisë mund të ngadalësojë, por jo edhe të ndalojë procesin e integrimit.

“Sa i përket riorganizimit të qeverisë vlerësoj se Mali i Zi nuk do e ndryshojë rrugën evropiane pasi ka një mbështetje të madhe të qytetarëve, por mund ta ngadalësojë procesin e integrimit”, tha zonja Ganiç.

Këtë qëndrim sipas zonjës Suzana Ganiç e pasqyroi më së miri takimi i para disa ditëve mes udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, Dodik dhe Mandiç, në parlamentin e Malit të Zi ku sipas saj demonstruan një gjest politik me të cilin duan t’i dërgojnë një mesazh publikut se do të punojnë me përkushtim për të krijuar “botën serbe”.

“Vizitën e Dodikut në Malin e Zi mund ta cilësojmë si një shfaqje teatrale, ku u prit me protesta nga qytetarët.

Ai erdhi në Podgoricë për të përcjellë mesazhe të caktuara nga bota ruse dhe serbe”, tha zonja Ganiç.

Ndërkaq, analisti Ismet Kallaba tha se vizita Dodik në Podgoricë ishte në shërbim të interesave të botës serbe.

“Në këtë kontekst do të përmendja edhe vizitën e fundit të kryetarit të entitetit serb në Bosnjë e Hercegovinë, Milorad Dodik, i cili ndër të tjera shpalosi hapur duke i ofruar Malit të Zi marrëveshjen për lidhje të veçanta që në një farë mënyre është jetësim i projektit të ashtuquajtur ‘bota serbe'”, tha zoti Kallaba.

Veprimet e përfaqësueseve të partive pro-ruse dhe pro-serbe, sipas analistit Kallaba në vazhdimësi po krijojnë incidenti diplomatike me shtetet fqinje

“Janë kundër politikave të fqinjësisë së mirë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor duke na përkujtuar retoriken nacionaliste, që është përdorur në vitet 90”, tha zoti Kallaba.

Uashingtoni zyrtar dhe Bashkimi Europian janë shprehur shumë të shqetësuar dhe kundërshtues për përfshirjen në qeveri të partive që janë nën ndikimin rus.

Kjo sipas tyre mund të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike në Malin e Zi dhe në qëndrueshmërinë në rajon./VOA