Lajme

Mal i Zi: Plan-atentati ndaj presidentit “ndoshta” dezinformatë nga vendet e treta, thonë ANB dhe UP

11/13/2024 23:45
nga:G C

Raportimet se po përgatitet atentat ndaj presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, duket se janë dezinformata të shpërndara nga vende të treta.

Në këtë përfundim ka arritur Agjencia e Sigurisë Kombëtare (ANB) dhe Drejtoria e Policisë (UP) në Mal të Zi, raporton “Vijesti”.

Megjithatë, ANB ka thënë se po punon për të vërtetuar nëse informacioni për atentat ndaj presidentit Millatoviq është i saktë apo jo.

Në njoftim thuhet se më 6 nëntor, ANB-ja kishte pranuar një informacion për kërcënimin e mundshëm ndaj kreut të shtetit malazez, për çka e kishte njoftuar presidentin në një komunikim të drejtpërdrejtë.

“Gjithashtu, Agjencia ka kryer një sërë aktivitetesh për verifikimin dhe thellimin e të dhënave të lartpërmendura, si dhe për të kontrolluar besueshmërinë e burimit. Në këtë drejtim, gjetjet e deritanishme nxjerrin në përfundimin se ndoshta bëhet fjalë për shpërndarja e dezinformatave nga vendet e treta”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ANB-së dhe UP-së së Malit të Zi.

Shtohet se ANB-ja në bashkëpunim me UP-në do të vazhdojë të zbatojë masat mbrojtëse të sigurisë në raport me Presidentin e Malit të Zi dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë.