Lajme

Makolli: Qeveria të marr masa urgjente për sigurimin e lirisë së mediave!

05/07/2024 09:18
nga:Y I

Kosova ka rënë 19 vende më poshtë sa i përket Indeksit të Lirisë së Shtypit.

Nga vendi i 56-të sa ishte, në raportin e fundit të ‘Reporterëve pa Kufij’, është rënditur në vendin e 75-të.

Në lidhje me këtë raport ka folur për “Gazeta Blic” Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Kosovare e Re, Vesel Makolli.

Makolli tha se nga raportet e fundit u vërtetua se të gjitha premtimet që u dhanë me pompozitet gjatë fushatës zgjedhore, qeveria Kurti nuk ka arritur t’i realizoj.

“Të gjitha premtimet që u dhanë me pompozitet te madh gjatë fushatës zgjedhore dhe që ishin kruciale për bindjen e elektoratit që e votuan VV-në, këto ditë
nga tri raporte ndërkombëtare kredibile, u vërtetua se kanë qenë vetëm premtime që kjo qeveri nuk ka arritur që t’i realizoj, përkundrazi, në shumë fusha raportet tregojnë që kemi pasur regres të madh”

Ai tutje tha se raporti i ‘Reporterëve pa Kufij’ tregon për një regres të madh që nuk ka qenë qenë asnjëherë në 10 vitet e fundit.

“Raporti i fundit i “Reportereve pa kufij” na rëndit për 19 pozita më poshtë në ranglisten që merret me lirine e mediave, regres që nuk e kemi pasur asnjëherë deri tash në 10 vitet e fundit.Në raport theksohet tendenca e pushtetit që me ligjin e ri per KPM-në, të tentojë kapjen e mediave dhe përpjekja e qeverisë per kontrollimin e mediave online, me të cilat shkelen standardet e vendosura nga KiE dhe OSBE.”

Makolli tha se qeveria duhet menjëherë të merr masa urgjente për sigurimin e lirisë së mediave.

“Vlera e demokracisë së çdo vendi vlerësohet me lirinë e fjales dhe shprehjes se lirë, e kjo sipas raporteve ndërkombetare është cënuar në Kosovë, si kurrë më parë gjate dekadës së fundit. Qeveria duhet menjëherë të ndermerr masa urgjente për sanimin e gjendjes gjegjësisht për sigurimin e lirisë së plotë të veprimtarisë së të gjitha mediave të vendit dhe lirinë e sigurinë e gazetarëve gjatë punës së tyre informuese dhe raportuese” tha Makolli në një përgjigje dhënë për “Gazeta Blic”

Sipas raportit të ‘Reporterëve pa Kufij’, Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik” .

“Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetra sulme të tilla, ndërkohë që Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv ‘Klan Kosova’. Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë”, tha për Zërin e Amerikës, Pavol Szalai, i “Reporterëve pa Kufij”.

Kosova bie 19 vende më poshtë në raportin e “Reporterëve pa Kufij”: VV shtoi trysninë ndaj medias së pavarur