Lajme

Majorja e Policisë së Kosovës Vjollca Hoti diplomon në Akademinë Kombëtare të FBI’së

03/19/2026 11:40
nga:Sh R

Policia e Kosovës ka njoftuar se Major Vjollca Hoti ka përfunduar me sukses trajnimin prestigjioz në Akademinë Kombëtare të FBI-së në Quantico, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Në njoftim thuhet se përfundimi i Akademisë së FBI-së nga major Hoti përfaqëson një vlerë të shtuar për Policinë e Kosovës, duke sjellë përvoja dhe njohuri të avancuara që do të ndikojnë në forcimin e lidershipit, rritjen e kapaciteteve operacionale dhe avancimin e praktikave moderne të policimit.

Akademia Kombëtare e FBI-së është një nga programet më të avancuara të trajnimit për zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit, ku përfshihen tema si lidershipi, menaxhimi strategjik, teknikat bashkëkohore hetimore dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në luftimin e krimit.

“Major Hoti ka më shumë se 25 vjet përvojë pune në Policinë e Kosovës, ku gjatë gjithë karrierës së saj ka shërbyer në pozita të rëndësishme në fushën operacionale. Ajo ka udhëhequr njësi dhe struktura policore në mjedise sfiduese, duke kontribuar drejtpërdrejt në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në menaxhimin e situatave komplekse të sigurisë. Kjo arritje njëkohësisht reflekton përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës për zhvillim profesional dhe për fuqizimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në funksion të sigurisë publike”, thuhet në njoftim.