Harry Maguire nuk dëshiron të lërë Manchester United këtë verë siç raportojnë mediet angleze me mbrojtësin që është i vendosur të luftojë për një vend në formacionin e Erik ten Hag. Qendërmbrojtësi ka bërë vetëm 16 paraqitje në Premier League gjatë sezonit të parë të Ten Hag në drejtim, shumica prej të cilave të dobëta dhe pritej që të largohej në javët e ardhshme.
Nga ato paraqitje vetëm në 8 raste Maguire ka qenë titullar, çka nxjerr në pah se mbrojtësi që u ble për 80 milionë paund në 2019, nuk ka të garantuar një vend në formacion.
Në të vërtetë ai ka rrëshkitur pas Lisandro Martinez, Raphael Varane dhe Victor Lindelof në hierarkinë për një vend në formacion, ndërkohë që edhe Luke Shaw është përzgjedhur para tij. Gjithsesi pavarësisht se e kupton se është i përjashtuar, Maguire preferon të qëndrojë.
Disa media angleze pretendojnë se Tottenham ka një farë interesi për Maguire, dhe Ten Hag është i hapur për ta shitur 30 vjecarin para sezonit të ardhshëm. Maguire edhe pse e di këtë, si dhe faktin se shanset e tij nuk është se do të rriten vitin e ardhshëm, nuk është dakord me largimin.
Ten Hag publikisht e ka pranuar se ish lojtari i Leicester duhet të marrë një vendim për të ardhmen, ndërsa trajneri i Anglisë Gareth Southgate është i shqetësuar për rolin e tij periferik në skuadër.
Besohet se Maguire do ti kërkojë United një shumë prej 10 milionë paundësh si bonus largimi nëse largohet këtë verë, kartoni i tij aktualisht vlerësohet rreth 30 milionë paund nisur nga mosha, por edhe performancat në rënie teksa kontrata e tij aktuale me United i jep 190 mijë paund në javë.
Në një klub tjetër ai mund të marrë maksimumi gjysmën e kësaj shume, me United që duhet ti paguajë një bonus prej 10 milionësh për ta hequr nga libri i pagave.
United dëshiron ta zëvendësojë me mbrojtësin e Napolit Kim Min-jae, ndërkohë që klubi po kërkon edhe një sulmues dhe një mesfushor, por gjithmonë duke patur prioritet përforcimin e mbrojtjes.