Lajme

Macroni thotë se tash Ukraina dy të tretat e të dhënave të inteligjencës i merr nga Franca

01/15/2026 21:26
nga:Sh R

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të enjten se vendi i tij tani është duke ia ofruar dy të tretat e të dhënave të inteligjencës Ukrainës, duke i zëvendësuar në masë të madhe Shtetet e Bashkuara, të cilat deri vitin e kaluar e ofronin pjesën më të madhe të këtij shërbimi.

Në marsin e vitit të kaluar, Uashingtoni mori vendim për ta pezulluar shpërndarjen e të dhënave të inteligjencës me Ukrainën si pjesë e përpjekjeve për t’ia shtuar presionin presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të bashkëpunuar me homologun amerikan, Donald Trump, në planin e tij për organizimin e bisedimeve të paqes me Rusinë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në një fjalim për vitin e ri para ushtrisë franceze, Macroni i çmoi përpjekjet e Evropës gjatë dy viteve të fundit në lidhje me mbështetjen me armë për Ukrainën.

Ai tha se një koalicion prej rreth 35 shtetesh tani është duke e ofruar tërë përkrahjen, përfshirë atë financiare, për Ukrainën, pasi Uashingtoni kishte vendosur që të mos i financonte më ose t’i jepte drejtpërdrejt armë Ukrainës.

“Ku Ukraina ishte tepër e varur nga kapaciteti i inteligjencës amerikane, shumica e madhe [e saj] një vit më parë, brenda një viti, dy të tretat tani ofrohen nga Franca” – tha Macroni.

Komentet e tij bien ndesh, megjithatë, me vlerësimin e Kyyrlo Budanovit, i cili është emëruar shef i zyrës së presidentit Volodymyr Zelensky dhe dikur shërbente si shef i inteligjencës ushtarake të Ukrainës.

Ai në dhjetor tha se Ukraina ishte e varur në mënyrë kritike nga Uashingtoni sa u përket të dhënave të inteligjencës, duke filluar nga pamjet satelitore deri te sistemet për paralajmërim të hershëm pas hedhjes së raketave balistike.