Lajme

Macron nis vizitën zyrtare në Gjermani, synon t’i ulë tensionet

05/26/2024 16:15
nga:G C

Emmanuel Macron arriti në Berlin më 26 maj, në vizitën e parë në Gjermani që një president francez e ka realizuar në 24 vjet.

Gjatë vizitës, lideri francez synon të ulë tensionet dhe të paralajmërojë për rreziqet që vijnë nga ekstremi i djathtë para mbajtjes së zgjedhjeve të Bashkimit Evropian.

Macron do të qëndrojë në Gjermani për tre ditë dhe gjatë kësaj vizite pritet të theksojë rëndësinë historike të raporteve të pasluftës mes dy shteteve kyçe në BE, teksa Franca muajin e ardhshëm shënon 80-vjetorin e dhënies fund të pushtimit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, raportet mes Parisit dhe Berlinit janë përkeqësuar, për shkak të refuzimit të idesë së Macronit nga Gjermania që të dërgohen trupa në Ukrainë.

Përderisa Macron shpesh viziton Berlinin, kjo është vizita e parë zyrtare e një presidenti francez në 24 vjet, pas vizitës që zhvilloi Jacques Chiran më 2000.

Të dielën, Macron është takuar me homologun e tij gjerman, Frank-Walter Steinmeier.

Ndërkaq, të hënën ai do të qëndrojë në Dressden, ku do të mbajë një fjalim në Festivalin Evropian. Të martën, Macron do të qëndrojë në Muster dhe më pas në Meseberg, ku do të zhvillojë bisedime me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe do të mbahet një takim i përbashkët i qeverive të të dyja shteteve. /REL