Lajme

Macron mund të emërojë kryeministrin e ri brenda 48 orëve, thotë Lecornu

10/08/2025 23:48
nga:G B

Kryeministri francez në largim, Sebastien Lecornu, ka konfirmuar se presidenti Emmanuel Macron mund të emërojë një kryeministër të ri brenda 48 orëve të ardhshme.

Lecornu ka theksuar se ai e konsideron misionin e tij të përfunduar dhe nuk do të tërheqë dorëheqjen e dhënë javën e kaluar.

Ai ka shtuar se parlamenti francez mbetet i fragmentuar, por ende ka mundësi për një kompromis, duke përmendur ekzistencën e një “shumice absolute” që refuzon zgjedhjet e reja.

Ai gjithashtu ka potencuar rëndësinë e arritjes së një marrëveshjeje për buxhetin, duke pranuar se ky proces është i vështirë, por jo i pamundur.

“Jam i bindur se kushdo që zgjidhet kryeministër do të duhet të krijojë një ekip që është krejtësisht i painteresuar në garën presidenciale të vitit 2027”, i ka thënë ai televizionit francez.

Kush do të jetë kryeministri i ardhshëm mbetet ende pikëpyetje dhe vendimi final është plotësisht në dorën e presidentit Macron, raporton BBC.