Ekipet ushtarake britanike dhe franceze do të vendosen në Ukrainë gjatë ‘ditëve të ardhshme’, ka konfirmuar Emmanuel Macron.
Një delegacion nga Britania e Madhe dhe Franca do të dërgohet për të punuar me forcat e armatosura ukrainase si pjesë e një “force sigurie”, u zbulua gjatë samitit në Paris ku morën pjesë edhe kryeministri britanik, Sir Keir Starmer dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Por Macroni tha se një forcë e tillë nuk do të ishte zëvendësim për trupat paqeruajtëse që ruajnë ndonjë armëpushim të mundshëm midis Rusisë dhe Ukrainës.
“Asgjë nuk është përjashtuar, ne do të shikojmë forcat detare, forcat tokësore dhe forcat ajrore”, paralajmëroi ai, raporton media britanike “Metro”, transmeton Klankosova.tv.
“Kjo forcë sigurie nuk duhet të zëvendësojë forcat paqeruajtëse në vijën e kontaktit ose ushtrinë e fortë dhe të fuqishme ukrainase”.
Ai pranoi se Vladimir Putin nuk ka rënë dakord për një plan të tillë, por “nuk varet nga Rusia se çfarë ndodh në tokën ukrainase”.
“Pra, do të ketë një forcë sigurie që bashkon disa forca evropiane dhe ajo do të vendoset”, shtoi Macron.
Zelensky nga ana e tij tha se nuk duhet të ketë “heqje të asnjë lloj sanksioni derisa Rusia të ndalojë këtë luftë” dhe në vend të kësaj “më shumë presion mbi të, më shumë paketa sanksionesh”.
Starmer tha se ishte “i vendosur” të shihte “paqe përmes forcës” në Ukrainë, duke i thënë Zelenskyt se Ukraina ka “mbështetjen tonë të plotë për aq kohë sa duhet”. Ai akuzoi Rusinë për “përpjekje për të vonuar” paqen në Ukrainë.