Lajme

“Ma mirë me punu se me vjedh”- 30 vjeçari nga Prishtina e pret Vitin e Ri në kushte të vështira, kërkon ndihmën e qytetarëve!

12/31/2023 20:17
nga:Y I

Çdo ditë nga ora 7 e mëngjesit , në çdo stinë të vitit, ai del për të kërkuar punë në “Tregun e Gjelbërt” në Prishtinë.

Megjithëse punon papushim që kur ishte fëmijë për të mbajtur familjen, jetesa e 30 vjeçarit nga Prishtina, Nazmi Ruhani, është jashtëzakonisht e vështirë.

Ai edhe sot, si çdo ditë tjetër, ka dale herët me karrocën e tij në pazar me përpjekjen se mund të sigurojë ndonjë të ardhur për t’ua dërguar në darkë familjes.

Ndërrimi i motmoteve po afron dhe Nazmiu po ndjehet keq pasi nuk ka para për t’i siguruar familjes gjërat e nevojshme ushqimore për ta kaluar “Vitin e Ri” si gjithë të tjerët.

Ai thotë për kamerën tonë se shuma më e madhe që mund të fitojë nga puna e tij me karrocë është 5 euro në ditë, por ka edhe ditë që nuk fiton fare.

Nazmiu na tha se ka edhe njerëz të tillë që nuk paguajnë për punën që ai iu kryen, dhe vetëm largohen.

Me sinqeritetin që e karakterizonte, Ruhani, potencon se edhe pse siguron pak para nga puna që bën, më mire është “me punu se me vjedh”.

Nazmiu tha se bashkëshortja e tij s’mund të punojë pasi kujdeset për nënën e tij e cila është e sëmurë tash e disa vite.

Ai tha se e vetmja e ardhur e sigurtë që kanë në familje është pensioni i nënës së tij të moshuar prej 100 eurosh, i cili siç thotë Nazmiu nuk i del as për medikamente që ajo ka nevojë.

Ai ka një apel për të gjithë qytetarët që kanë mundësi që t’i dërgojnë gjëra ushqimore dhe veshmbathje pasi nuk ka mundësi t’i sigurojë.

S’e Nazmi Ruhani është një person pozitiv dhe jashtëzakonisht punëtorë, na e potencuan jashtë kameras tonë edhe tregtarët që punojnë në këtë treg.

Ata bën thirrje që “kushdo që ka mundësi” të mund ta ndihmojë pasi ai meriton shumë për njeriun që është.

Nazmiu pas intervistës, na përshëndeti, duke vazhduar rrugën perms tregut me karrocën e tij, me shpresën se edhe sot mund të sigurojë ndonjë para për t’ia dërguar familjes.

Të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë Nazmi Ruhanin mund ta telefonojnë atë në numrin 043 876 592 .

VIDEO “Gazeta Blic”