Lajme

Mâ keq se intervenimi âsht vetëm zmbrapsja!

05/27/2023 15:41
nga:Halil Matoshi

Shkruan: Halil Matoshi

1.
Çka tash?
Qeveria e Kosovës por edhe politikanët e opozitës duhet me u sjellë me përgjegjshmëni dhe kujdes maksimal e racionalitet për me e rikthy besimin e qytetarëve serbë në veri të vendit, tue i mbrojtë të drejtat e njeriut dhe liritë civile si dhe me i riparu përplasjet me partnerët strategjikë (ShBA-në, NATO-n dhe BE-në) tue u zotue se ka me e zbatu Marrëveshjën e Ohrit me përpikmëni e pa obstruksione.

2.
Policia e Kosovës deri më tash, po i trajton qytetarët atje dhe të drejtat e liritë e tyne, si dhe pronën e tyne, në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme për çka duhet lavdue!

3.
Besohet se Operacioni i djeshëm ka me e përshpejtu zbatimin e Marrëveshjës së Ohrit, pra kthimi në legalitet i procedurave Kushtetuese për themelimin e Asociacionit nga ana e Qeverisë kosovare, kurse Aleksandar Vučić duhet t’i inkurajojë serbët e katër komunave veriore të Kosovës që të kthehen në institucionet e ligjshme të shtetit kosovar përfshi edhe pranimin e rendit simbolik të tij në veri.
Pra Serbia e pranon realitetin se nuk ka me pasë nji Republika Srpska të dytë në Kosovë, pra Jo Asociacin me kompetenca ekzekutive, kurse Kosova pranon zgjedhje të jashtëzakonshme për pushtetin vendor në katër komunat veriore në afat optimal për tre muej, që do të kishin legjitimitet popullor e demokratik.

4.
Në ndërkohë objektet komunale do të duhej të siguroheshin nga KFOR-i e politika të mendonte për nji funksionalitet me nji pushtet mikst – transicioni – të kombinuet, kryetarët aktualë me ekspertë, drejtori me pjesëtarë të komunitetit serb si shumicë dhe me mbikqyrës të BE-së (misioni Eulex);

P.S.

Princi Talleyrand, ministri i jashtëm i Napoleonit, vërejti në mënyrë legjendare atë që mendjet militariste rëndom nuk e mendojnë: “Munesh me bâ shumë gjâna me bajoneta, përveçse me u ul mbi to”.