Sporti

Lyon – Fenerbahce klasifikohet si ndeshje me rrezikshmëri të lartë

08/25/2026 19:51
nga:Mergim Rreci

Ndeshja e kthimit mes Lyonit dhe Fenerbahces, në kuadër të play-offit të Ligës së Kampionëve, është klasifikuar si një përballje me rrezikshmëri të lartë nga autoritetet franceze.

Sipas vlerësimit të Divizionit Kombëtar për Luftën ndaj Huliganizmit (DNLH), sfida është kategorizuar me nivelin 4 nga 5 në shkallën e rrezikshmërisë.

Në stadiumin “Groupama” pritet të jenë rreth 2,000 tifozë të Fenerbahces, çka ka bërë që autoritetet të marrin masa të shtuara sigurie për këtë përballje.

Tifozët mysafirë do të transportohen drejt stadiumit përmes autobusëve të organizuar, ndërsa rreth stadiumit është vendosur një perimetër i kontrolluar dhe hyrja do të jetë e kufizuar për personat me bileta.

Ndeshja e parë në Stamboll përfundoi me rezultat 1-1, ndaj gjithçka mbetet e hapur në sfidën e kthimit. Fituesi i kësaj përballjeje do të sigurojë një vend në fazën e Ligës së Kampionëve.

/GazetaBlic Sport/