Lajme

LVV në Prishtinë reagon për kalimin e asamblistes së tyre në PDK: Berna Saraçi na tha se po shantazhohet nga pushteti lokal

06/21/2023 18:00
nga:G B

Lëvizja Vetëvendosje dega në Prishtinë, ka reaguar pas largimit të asambleistes së tyre Berna Saraçi dhe kalimin e saj në PDK, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, LVV ka thënë se shpreson që ky kalim të jetë vendim i marrë me vullnet të lirë dhe jo devijim i vullnetit siç është paraqitur nga vetë ajo.

LVV ka thënë se , ish asambleistja Berna Saraçi ua kishte paraqitur shqetësimet e saj në raport me kërcënimet dhe shantazhet që po i bëhen asaj dhe familjes së saj nga eksponentë të partive të pushtetit lokal.

LVV ka kërkuar që institucionet të nisin hetimet për kërcënimet ndaj saj.

Postimi i plotë:

Sot u njoftuam nga mjetet e informimit se një ish asambleiste jonë ka kaluar në një subjekt tjetër.

Ky kalim në PDK urojmë të jetë vendim i marrë me vullnet të lirë e jo ndrydhje e devijim i këtij vullneti siç na është paraqitur nga vetë ajo.

Në mbledhjen e fundit të kryesisë së Qendrës me grupin e asamblesitëve, ish asambleistja Berna Saraçi na ka paraqitur shqetësimet e saj në raport me kërcënimet dhe shantazhet që po i bëhen asaj dhe familjes së saj nga eksponentë të partive të pushtetit lokal. Të njëjtët e paraqitën sot aderimin e saj në këtë subjekt si sukses.

Jemi të shqetësuar për Bernën si ish kolege e jona por edhe si qytetare e këtij qyteti.

Gratë në politikë kanë nevojë për mbështetje por mbi të gjitha për vendosmëri që t’i bëjnë ballë çfarëdo shantazhi të ndërlidhur për veprimtarinë e tyre politike.

Po ashtu në dijeninë tonë ky është një rast i qartë i kërcënimit andaj ju bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë të fillojnë hetimet mbi rastin.