Lajme

LVV kërkon që të miratohet në procedurë të përshpejtuar rishikimi i buxhetit, PDK dhe LDK kundërshtojnë

07/16/2021 19:47
nga:M K

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila në seancë ne sotme ka kërkuar që në procedurë të përshpejtuar të votohet rishikimi i buxhetit.

Ajo po ashtu ka paraqitur para deputetëve të Kosovës një mocion procedural për fazat e miratimit të rishikimit të buxhetit.

Ky propozim i saj u miratuar me 69 vota për, 13 kundër dhe asnjë abstenim.

“Pas këtij miratimi i adresohen komisionit funksional deri më 22 korrik 2021, e enjte ora 16:00. Komisioni funksional deri më 23 korrik e premte duhet të shqyrtojë projektligjin dhe raportin me rekomandime t’i paraqet komisioneve të përhershme. Komisionet e përhershme deri më 26 korrik ora 16:00 e hënë do të shqyrtojnë projektligjin dhe raportet me rekomandime t’i paraqesin komisionit funksional. Komisioni funksional deri më datën 27 korrik 2021, ora 16:00 dita e martë duhet të paraqes raportin me rekomandime për shqyrtim të dytë në seancën plenare”, u shpreh ajo.

Kusari-Lila ka kërkuar që deri në fund të muajit të ketë miratim të plotë të rishikimit të buxhetit.

Më pas ajo ka njoftuar se seanca për lexim të dytë të rishikimit të buxhetit, me propozimin e tyre, do të mbahet më datën 28 korrik.

“Propozojmë që shqyrtimi i dytë i projektligjit 08L16 për ndryshim dhe plotësim të ligjit 07L41 mbi ndarjet buxhetore të bëhet në seancën plenare me datë 28 korrik 2021 me fillim në orën 10:00”, tha Kusari-Lila.

PDK nuk është pajtuar me këtë shmangie të procedurave. Deputeti nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza u shprehë se ky dokument është një nga më të rëndësishmet që trajtohet në Kuvendin e Kosovës.

Kurse, LDK ka thënë se nuk d o ta përkrah përshpejtimin e procedurave për miratimin e rishikimit të buxhetit.