Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë ka bërë të ditur se nuk do të mbështesë asnjërin kandidat në balotazh.
“Si për garën për kryetar të komunës, ashtu edhe për asamblenë komunale, garuam me program të drejtë e zhvillimor dhe i ofruam alternativë dhe zgjidhje të drejtë dhe afatgjate secilës problematikë dhe secilit preokupim të qytetarëve tanë. Megjithatë pavarësisht ofertës dhe programit tonë konkret, si dhe garës demokratike dhe shumë korrekte që zhvilluam në raport me oponentët tanë politikë, ne nuk arritëm të sigurojmë pjesëmarrjen në balotazh”.
“Sa i përket raundit të dytë – garës së balotazhit, që zhvillohet me 14 nëntor, Lëvizja Vetëvendosje në Malishevë, nuk mbështetë asnjërin subjekt politik dhe asnjërin kandidat që do të garojë në balotazh. E vlerësojmë që votuesit tanë të vendosin vetë se si do të veprojnë më 14 nëntor”.
Në njoftimin e tyre thuhet se subjektet e mbetura në garë nuk përbëjnë ndryshim dhe janë të njëjtat që kanë keqqeverisur me Malishevën.
“Subjektet e mbetura në garë nuk përbëjnë ndryshim, janë të njëjtat si nga mendësia qeverisëse, si nga përbërja me akterë të korruptuar dhe mbi të gjitha janë të njëjtit të cilët qe katër mandate rresht e kanë keq qeverisur Malishevën dhe e kanë përdhosur dinjitetin e secilit qytetarë të saj. Ata u ndanë për interesa të ngushta klanore, por mbetën të bashkuar gjithmonë në afera korruptive dhe në zhvatje të pasurisë publike”.
“Opozitarizmi ynë do të jetë sa kritikë, aq edhe bashkëpunues dhe konstruktiv kur është në pyetje interesi qytetarë që është çdoherë parim i yni” thuhet mes tjerash në njoftim.