Lajme

​LVV-ja gjobitet edhe me 2 mijë euro nga PZAP

01/17/2025 10:03
nga:N K

Lëvizja Vetëvendosje është gjobitur me 2 mijë euro për shkak të shkeljes së Kodit në fushatë zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Siç njofton Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) kjo ankesë është bërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Tutje, në vendim thuhet se anëtarit të Komisionit Komunal Zgjedhor të Lëvizjes Vetëvendosje në Obiliq, Berat Gashit, i është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje si kandidat apo edhe si pjesë administrative e ndonjë organi zgjedhor për dy vite nga dita e marrjes së vendimit duke përfshirë edhe zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.

Ndryshe, ky është dënimi i dytë që ky subjekt politike ka marrë brenda pak ditësh. Kjo pasi LVV është dënuar më 3 mijë euro edhe për për shkak të gjuhës fyese që kryeministri Albin Kurti e ka përdorur gjatë një tubimi elektoral më 13 janar në Pejë.

PZAP ka dënuar edhe LDK-në me 20 mijë euro. Kjo pasi subjekti politik në pushtet u ankua se kandidatja e LDK-së, Xheneta Syka, ka publikuar një video duke e krahasuar Kurtin me Hitlerin.

PZAP pati punë edhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, pasi të njëjtën e dënoi me 12 mijë euro pas ankesave të LVV-së se Ramush Haradinaj, ka drejtuar akuza të pabaza dhe të pavërteta ndaj Kurtit.