Lajme

LVV-ja arrin 51 për qind

01/07/2026 22:48
nga:Genita C

Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të sigurojë 51% të votave në rezultatet e përgjithshme, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga 99.93% e kutive të numëruara.

Kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, ka marrë mbi 400 mijë vota, duke thyer rekordin si personi më i votuar në historinë e Kosovës.

Pas LVV-së, renditen Partia Demokratike e Kosovës – 20.24%, Lidhja Demokratike e Kosovës – 13.26%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – 5.51%.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, të mërkurën vazhdoi numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se ende nuk kanë mbërritur në Kosovë 3,185 pako me fletëvotime, të cilat janë tërhequr më 2 dhe 5 janar nga kutitë postare në: Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125) dhe Otavë (404).

Sipas rezultateve të fundit, LDK-ja ka arritur të rikthejë ulësen e 15 në Kuvend, e cila një ditë më parë iu kishte rrëmbyer nga PDK-ja.