Lajme

Lutfi Haziri: Osmani t’i ftojë partitë politike për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve

04/27/2024 12:34
nga:Y I

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet t’i ftojë partitë politike për t’u dakorduar për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Kështu thotë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Sipas tij, nëse kryeministri dëshiron që përmes shpërbërjes së Kuvendit të shkohet në zgjedhje të parakohshme, e para e vendit duhet të bëhet garant kushtetues i të gjitha partive politike dhe të ketë pajtim për datën e zgjedhjeve.

Ai në një intervistë për KP, thotë se LDK-ja, është gati për zgjedhje dhe shohin periudhën e vjeshtës si një mundësi të mirë.

Megjithatë, Haziri dyshon në sinqeritetin e kryeministrit Albin Kurti se e tërë mazhoranca do të votojë për shpërbërje të Kuvendit.
Sipas tij, ata nuk do të jenë unik në shpërbërjen e legjislativit, pasi deputetët e pushtetit kanë dallime të mëdha brenda grupit.

Duke folur për përfshirjen e kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, Haziri thotë se ndërhyrja e tij ka përçarë shqiptarët atje. Mirëpo, ai thekson se Kurti po përçan edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe sa ka tentuar të ndërhyjë edhe te shqiptarët në Mal të Zi.