Lajme

Lutfi Haziri me “ultimatum” ndaj Qeverisë: Deri nesër në mesditë të hapen lokalet e mbyllura

10/30/2021 23:04
nga:Gazeta Blic

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka reaguar pas mbylljes së disa lokaleve nga Inspektorati sanitar.

“Deri nesër në mesditë kërkoj të largohen masat parandaluese. Harrojeni që e ngulfatni Gjilanin në zgjedhje sepse s’mund të fitoni me dhunë”, ka shkruar Haziri, raporton Gazeta Blic.

Reagimi i plotë:

Gjilani nuk e pranon represionin dhe mbylljen e dhunshme të lokaleve

Sapo u njoftova nga rrugë jo zyrtare dhe nëpërmjet rrjeteve sociale se Njësitë ndëshkuese të qeverisë së Republikës kanë mbyllur restorante e kafiteri, përfshirë Maroa e Mono, duke ndëshkuar bizneset familjare në Gjilan pa asnjë arsye të qëndrueshme ligjore, duke anashkaluar inspekcionin e Komunës dhe kryeshefin ekzekutiv të Komitetit për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kryetarin e Komunës.

Ftoj organet e shtetit që në Gjilan të mos sillen me ‘shkopin’ e ligjit, sepse ky vend ka zot shpije dhe ato lokale kanë pronarë.

Deri nesër në mesditë kërkoj të largohen masat parandaluese. Harrojeni që e ngulfatni Gjilanin në zgjedhje sepse s’mund të fitoni me dhunë. I vetmi përfaqësues zyrtar sipas ligjit për emergjenca civile, ku përfshihen edhe institucionet tjera vartëse, në këtë rast edhe në pandemi, është kryetari i Komunës, i cili është kryeshef ekzekutiv, pa autorizimin e të cilit s’mund t’i hapni e mbyllni asnjë lloj biznesi.

Sot nuk e kemi asnjë pacientë me COVID-19 në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, derisa i kemi vetëm 9 raste në vet-izolim.

Sa për dijeni, Gjilani ka udhëhequr prej fillimit me masa anti – COIVD-19, por nuk e pranon represionin dhe mbylljen e dhunshme të lokaleve në kohën kur të rinjtë duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre private.