Lajme

Lutfi Haziri: Kurtit i kanë dhënë “ultimatum” për ‘Zajednicën’ deri në fillim të nëntorit

10/23/2023 14:09
nga:Gazeta Blic

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur për Gazeta Blic në lidhje me takimin e kryeministrit Kurti me pesë emisarët për dialogun Kosovë- Serbi.

Ai për Gazeta Blic tha se Kurtit i është dhënë “ultimatum” që deri në javën e parë të nëntorit të nis zbatimi i narrëveshjes për Asociacionin.

”Implmentimin e marrëveshjes dhe vetëm implementimin e marrëveshjes, pa kushtëzime e pa të drejtë që të pengohet. Plus asaj, nuk pranohet vetëm angazhimi deklarativ, por implementim i mënjehërshëm dhe i prekshëm i planit Kurti-Vuçiq”, tha ai për Gazeta Blic.

Intervista e plotë e Hazirit:

Gazeta Blic: Keni deklaruar se do të shokohen besimtarët e Kurtit, pas takimit me pesë emisarët. A i bie kjo që Kurti e pranon Asociacionin?

Lutfi Haziri: Tashmë ajo çështje nuk diskutohet sepse marrëveshja e 28 shkurtit, respektivisht e 17 marsit, e konfirmon pranimin e Asociacionit nga ana e Kurtit, por tani po flasim për fazën e implementimit. Tash po hyhet në fazën e implememtimit, e cila nënkupton draftimin e statutit, i cili është dokument që e legalizon, legjitimon dhe e funksionalizon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin Kurti e ka shfrytëzuar si kauzë për të ardhur në pushtet.

Gazeta Blic: Çka përmban ky plan i ri i sjellë nga pesëshja e emisarëve?

Lutfi Haziri: Për planin e ri nuk ka folur as ndërmjetësi ndërkombëtar e as z. Kurti. Kur jemi këtu, z. Kurti e ka bërë praktikë që proceset t’i mbajë të mbylluara, të mos i ndaj me askënd, në parimin ‘one man show’. Natyrisht, ky dokument i prezantuar është sekuencim dhe mënyrë e implemetimit në parimet që janë diskutuar para 24 shtatorit, që nënkupton zbatim paralel nga Kosova dhe Serbia, për t’i kryer obligimet e tyre. Këtu në mes kemi një situatë të re, 24 shtatori, ku si situatë po shkon drejt mbylljes së hetimeve dhe asgjë tjetër.

Gazeta Blic: Çka saktësisht kjo pesëshe kërkoi nga Kurti?

Lutfi Haziri: Implmentimin e marrëveshjes dhe vetëm implementimin e marrëveshjes, pa kushtëzime e pa të drejtë që të pengohet. Plus asaj, nuk pranohet vetëm angazhimi deklarativ, por implementim i mënjehërshëm dhe i prekshëm i planit Kurti-Vuçiq. Kohë nuk ka shumë, janë shkelur të gjitha vijat e kuqe dhe është hapi i parë deri në fund të javës së parë të nëntorit, ndërkaq hapi tjetër, po ashtu, i koordinuar dhe rezultatet duhet të bëhen të pranueshme.

Takimi me 5-shën SHBA–BE / PO-ja e madhe e Albin Kurtit: Pranon Asociacionin dhe zgjedhjet në Veri