Lajme

Lushtaku: Qeveria Kurti e paaftë të zgjidh problemet me energjinë elektrike

01/24/2022 18:36
nga:Gazeta Blic

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka folur për nismën e tyre institucionale, e cila rezultoi me seancë të jashtëzakonshme referuar rritjes së çmimit për energjinë elektrike.

Në Info Magazine të Klan Kosovës, ai u shpreh se PDK qëndron në çdo kauzë në mbështetje të qytetarit, me të vetmin synim të parandalohet vendimi i ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës.

”Presim një unitet në këtë drejtim. Ne kemi ofruar në vazhdimësi pozitës që të jemi unifikues në zgjidhjen e këtij problemi”.

”Ne me këtë rezolutë kemi paraparë që së pari të ndërpritet vendimi i ZRRE-së, për shtrenjtimin e energjisë elektrike e pastaj të marrim edhe një rivlerësim se për cilat masa kemi nevojë që të stabilizojmë tregun e energjisë elektrike e që të mos ketë dëmet më të mëdha qytetari i Republikës së Kosovës”.

”Ne do të shohim në vazhdimësi se cilat do të jenë edhe veprimet e Qeverisë Kurti karshi këtij problem, e më pas edhe ne do të bëjmë veprimet tona si opozitë”.

Mes tjerash Lushtaku u shpreh se Qeveria Kurti po i ikën debatit sepse nuk ka aftësi për t’i zgjidhur dhe ballafaquar me problemet e tilla, njofton Klankosova.tv.

”Në këtë pikë të pjesës së energjisë s’mundet t’ua hedh fajin qeverive të kaluara, sepse ka pasur stabilitet elektrik dhe investimet për energji të ripërtrishme ka pasur dyer të hapura. Ne po shohim që Qeveria Kurti po i ikë debatit për arsye se spo ka aftësi për t’i zgjidhë problemet në këtë drejtim dhe po mundohet t’ua hedh fajin qeverive të kaluara për energjinë elektrike”.

”Sigurisht ne edhe në debatet e mëhershme të thirrura nga opozita, kemi rikujtuar qeverinë se KEK-u ka qenë nën menaxhimin e Qeverisë Kurti 1, dhe nëse ka një problem për energjinë dhe për prishje në KEK, atëherë kryesisht është fajtor menaxhmenti që atëherë Kurti i kishte emëruar ata”.

”Në këtë seancë jemi munduar bashkë me deputetë që t’i hapim sytë qeverisë që t’i mban fjalët e saj që ka premtuar në fushata elektorale, sigurisht këtu bënë pjesë edhe deklarata e kryeministrit Kurti, atëherë ish-lider opozitar. Ne së pari kemi fillu të kemi qasje institucionale që ka ardhë deri tek thirrja e seancës së jashtëzakonshme, megjithatë në parim jemi në mbështetje të çdo kauze që ia hapë sytë qeverisë Kurti që të mos ketë shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike. Kemi anën tjetër mosrritjen e pagës së sektorit publik dhe atë privat”.