Sporti

Lushtaku për ndeshjen Astana – Ballkani: Besoj që Daja ka marrë të gjitha masat, jam optimist për rezultat pozitiv

11/09/2023 13:39
nga:Lorik J

Skuadra e Ballkanit sot përballet me Astanan në Kazakistan në kuadër të raundit të katërt të fazës së grupeve të Conference League. Ekipi kampion i Kosovës do ballafaqohet me Astanan nga ora 16:30 në ‘Astana Arena’.

Trajneri i njohur kosovar, Tahir Lushtaku beson se Ballkani e ka përgatitur mirë dhe pavarësisht humbjes në Prishtinë, sot do të menjanojë problemet dhe mund të dal pa humbje nga ‘Astana Arena’.

“Futbolli sot ka evolu dhe gjasat për të fitu sot Ballkani ndeshjen janë 50-50, por besoj që trajneri Daja i ka marrë të gjitha masat dhe i ka pa dobësitë që ju kanë shfaqë ndeshjen në Prishtinë dhe jam optimist që nëse futbollistët e marrin me shumë përgjegjësi mund të dalin të pamposhtur dhe me pak fat edhe ta fitojnë ndeshjen”, tha fillimisht Lushtaku për ‘GazetaBlic Sport’.

Sipas tij në rast se Ballkani merr rezultat pozitiv sot, atëherë dueli ndaj Dinamos do jetë vendimtar për kalimin e grupit.

“Do jetë një mundësi direkt që ndeshja në Zagreb të vendosë ndoshta në mes Dinamos dhe Ballkanit dhe shpresojë në të dy ndeshjet që Ballkani të bëjë paraqitje të mirë dhe të merr dy rezultatet e plota dhe të kualifikohet edhe pse do jetë e vështirë, sepse dy ndeshjet i luan si mysafire dhe ka të bëjë me dy klube me përvojë të madhe në garat ndërkombëtare”, përfundoi Lushtaku.

/GazetaBlic Sport