Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ishte i ftuari i radhës në emisionin “Blic Interview” prodhim i GazetaBlic.
Lushtaku ndër shumë tema foli për çasjen e kryeministrit, Albin Kurti pas sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit.
Lushtaku potencoi se kryeministri i vendit duhet të jetë unifikues në momente të tilla duke e kritikuar atë për deklaratat e tij kundër mediave të Kosovës.
Ai shtoi se Partia Demokratike e Kosovës çdoherë ka treguar se është në përkrah shtetit të Kosovës pavarësisht se kush e udhëheq atë.
“Në këto rrethana duhet të flitet për unitet, unë me Albin Kurtin nuk mendoj njëjtë, por kur është çështja e kombit, kur është çështja e sigurisë, jam me shtetin e jo me Albinin. PDK ka treguar gjithmonë që është me shtetin pavarësisht se kush është në pushtet. Është shumë tendencioze forma e një kryeministri që duhet të jetë unifikues jo përçarës, dhe mundohet me sulmu opozitën. Është e drejtë për të menduar ndryshe, por një kryeministër nuk bën të thotë “mos e dëgjoni këtë media” sepse ka mendim kritik. Në fund të ditës fjala e fundit do të jetë nga drejtësia, as nga gazetarët e as nga politikanët. Uroj që sa më parë të gjendet fajtori, por fryma unifikuese duhet të vie nga liderët e jo nga të tjerët”, tha Lushtaku në “Blic Interview”.
/GazetaBlic/