Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku thotë se buxheti i vitit 2024 nuk i paraqet kërkesat e qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Lushtaku theksoi se buxheti duhet të jetë më i lartë.
“Ne si Grup Parlamentar i PDK-së, e kemi shqyrtuar projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024, prandaj lirisht mund të themi se buxheti i vitit 2024 nuk paraqet kërkesat dhe pritshmëritë e qytetarëve, bizneseve, por as të organizatave buxhetore. Si i tillë duhet më i madh në shifër, por në një situatë krize jo vetëm ekonomike, por edhe të mungesës së lidershipit, ku gjithçka është më e shtrenjtë, i lë më të varfër qytetarët e Kosovës”, deklaroi deputeti i PDK-së.
Sipas tij, “buxheti shtetëror nuk është hajgare, nëse nuk hartohet siç duhet, le që nuk nidhmon, por ka fuqinë me përkeqësu edhe më shumë gjendjen në nivele ekstreme”.
Në seancën e sotme në Kuvend, në rend ditë është shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2024.


