Lajme

Lushaku: Të varfëruarit i gëzohen lëmoshës dhe e votuan nga frika

12/31/2025 13:39
nga:Genita C

Kandidatja për deputete nga LDK-ja, Jehona Lushaku-Sadriu, ka komentuar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ajo ka thënë se Albin Kurti ka varfëruar popullin me qëllim që të sundojë më lehtë.
Sipas saj, kur qytetari mbahet në mbijetesë, nuk mendon për zhvillim.

Lushaku ka komentuar edhe ardhjen e mërgatës për të votuar.

“Një popull i varfëruar sundohet më lehtë. Kur qytetari mbahet në mbijetesë, nuk mendon për zhvillim. Kur mbahet i varfër, i gëzohet lëmoshës. Kur ushqehet me përralla, voton nga frika”, ka thënë ajo.

“E, ata të pasurit, të cilët jetojnë në metropole, ju pëlqen të besojnë në përralla që ua tregon sundimtari. Se ata tek e fundit nuk kanë kohë t’i shohin konkretisht dështimet e sundimtarit. Ma lehtë është të besojnë në përrallat”, ka shtuar Lushaku.

“Ata erdhën, i bindën me lëmoshë familjarët e varfër, i detyruan të besojnë në përrallat e sundimtarit dhe ikën për të festuar në metropole”, ka theksuar anëtarja e LDK-së.

Sipas saj, Kosova nuk kishte nevojë për nënshtrim, por për punë.

“Kosova nuk kishte nevojë për nënshtrim. Kishte nevojë për punë, zhvillim dhe dinjitet. Kjo nuk do të jetë Kosova e projekteve e zhvillimit”, ka thënë ajo.