Jehona Lushaku, kryetare e Forumit të Gruas në LDK, ka mbajtur sot konferencë për media. Gjatë kësaj konference ajo foli për gruan shtatzënë që dyshohet se u vra mbrëmë nga ish-burri i saj.
Ajo tha se krimet si këto e shpërfaqin dështimin e shumë hallkave përgjegjëse të shtetit.
Lushaku i ka shprehur ngushëllime familjes, duke shtuar se shteti ka dështuar që t’i ofrojë ndihmë asaj.
Sipas saj, kjo situatë është urgjencë kombëtare duke kërkuar shkarkimin e personave përgjegjës.
“Sot po shprehim indinjatën për ngjarjen makabre. Shpreh ngushëllime familjes për humbjen e Hamides. Krimet si ky shpërfaqin dështime të shtetit. Hamidja ka kërkuar ndihmën e shtetit dhe shteti ka dështuar t’ia ofrojë atë. Hamidja është viktimë e shumëfishtë e sistemit tonë sepse dhunuesi u la i lirë nga sistemi i drejtësisë”.
“Është viktimë sepse shteti ende i kërkon viktimave ta njoftojnë Policinë. Tashmë është vonë dhe e pakuptimtë. Të gjitha hallkat që ta mbronin dështuan. Prandaj është e qartë që dështoi ministria e punëve të brendshme policia dhe ministria e drejtësisë e shëndetësisë. Të gjithë duhet të përpiqemi që këto raste të mos përsëriten”.
“Kjo situatë është urgjencë kombëtare dhe kërkojmë shkarkimin e personave përgjegjës. Qeveria të sigurojë pajisje elektronike për persona të ndaluar. Kryeministri ta kuptojë rolin e tij dhe të mos i ikë përgjegjësisë sepse ministrit e linjës janë përgjegjëse”.
“Krimet monstruoze si ky shpërfaqin dështimin e shumë hallkave përgjegjëse të shtetit për të siguruar jetën e grave në Kosovë dhe familjes në këtë rast. Kjo nuk po ndodh për herë të parë, familja ka kërkuar ndihmën e shtetit dhe shteti ka dështuar t’ia ofrojë atë. Ajo ka shkuar në spital për të sjellë një jetë, kurse në spitalin publik e humbi jetën e saj. Familja është viktimë e shumëfishtë e sistemit tonë shtetëror”, tha Lushaku.


