Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar procesin zgjedhor të 17 tetorit, raporton Gazeta Blic.
Abdixhiku ka thënë se Kosova tregoi maturi në procesin zgjedhor, derisa ka uruar fituesit e të gjitha partive politike.
Tutje ai tha se LDK-ja 17 tetorin do ta kujtojë me krenasi siç kujton 14 shkurtin si mësim.
Postimi i plotë:
Procesi zgjedhor përfundoj, e po përfundon edhe numërimi zyrtar i votave të fundit të rregullta e me kusht padallim.
Si vend treguam maturi demokratike, në votim, organizim e pranim të rezultateve. Një standard që e marrim si të qenë por që në thelb është vlerë. Fitues, për këtë, jemi të gjithë.
I uroj të gjithë kandidatët e të gjitha partive për fushatën e bërë; në veçanti i uroj të gjithë fituesit e deritanishëm – me shpresë shumë se do të shërbejnë me dinjitet e përkushtim ndaj secilit qytetar në komunat tona e të tyre padallim.
Si LDK, 17 tetorin do ta kujtojmë me krenari; siç e kujtojmë 14 shkurtin si mësim. Njerëzit e Kosovës na vlerësojnë kur jemi të drejtë, siç na largohen kur s’jemi të tillë – dhe kjo është vlera më e mirë e demokracisë.
Veprimtarët tanë i falënderoj për rezultatin e arritur. Një rikthim vërtetë i madh. Vend për mburrje, festë e garë fituesish s’ka. Mbështetja për ne s’është kundër askujt tjetër. Prandaj të punojmë për raundin e ri; e të qëndrojmë kokëulur por krenarë përballë qytetarëve tanë.
Besimin e tyre duhet ta kujdestarojmë me plot kujdes si në pushtet ashtu dhe në opozitë. Politikën duhet ta shohim vetëm si përgjegjësi.


