Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, ka qenë i ftuari i radhës në një intervistë dhënë për “Gazeta Blic”.
Ramosaj na foli për qeverisjen e tij prej dy mandatesh në kry të kësaj komune dhe disa nga projektet e realizuara gjatë këtyre viteve.
Ai me krenari përmend ndërtimin e ‘Lumbardhit’ dhe shëtitoren e ndërtuar buzë këtij lumi, vazhdimin e rrugën Deçan-Plavë, ndërtimi i fshatit ‘Belle’, rruga për në bjeshkën e Strellcit, ndërtimin e fshatit turistik, ‘Shkëlzen Haradinaj’ etj.
“Ka shumë projekte të cilat janë zbatu, ka një pjesë që janë në implementin e sipër dhe po ashtu ka edhe projeksione të tjera të planifikuara mirëpo që ende nuk kanë gjet përkrahjen ndoshta edhe mundësinë buxhetore që me u implementu. Unë Deçanin kam fillu me e udhëheq prej fundit të vitit 2017, zgjedhjet lokale të asaj kohe, por një ndryshim të madh kam fillu me bë prej vitit 2018. Jo pse të tjerët nuk e kanë ba mirëpo keni parasysh Deçani është një qytet i cili është dasht me vazhdu jetën mbi një improvizim për shkak se nuk ka patur asnjë shtëpi në këmbë, ka qenë komplet gërmadhë si pasojë e luftës në këtë trevë dhe është dasht me rindërtu dhe rifillu jetën. Në këtë kuptim është dashur me i pas shtëpitë e ndërtume, institucionet e ndërtume qofshin arsimore, shëndetësore, institucione të tjera publike dhe njëfarë dinamike shumë e shpejtë shumë e madhe…mirëpo diçka i ka mungu këtij qyteti. Edhe sot e tutje vazhdon me qenë Deçani në një lloj ‘kurthi’ gjeografik brenda hartës së Republikës së Kosovës me disa rrugë të ngushta në atë kohë, pa ndonjë perspektivë apo pa ndonjë koncept ose synim të qartë të dedikuar se nga po don me ec ky qytet”
“Në atë kohë ne kemi patur një slogan ‘I ka ardhë koha Deçanit’ dhe i kemi dhënë një epitet tepër të rëndësishëm këtij qyteteti si qytet ekologjik ku sektori më i rëndësishëm ka qenë turizmi për ne dhe vazhdon të jetë ende si sektor. Por unë besoj dhe vlerësoj dhe shumë njerëz të tjerë të këtij qyteti vlerësojnë se është hallka kryesore që krejt mekanizmat e tjerë i vendos në lëvizje. Në këtë kuptim kemi fillu me hap rrugën e qendrës së qytetit, një rrugë tepër e ngushtë që nuk t’a ka dhënë pamjen vizuale që po hyjmë në një qytet por që po hyjmë në një fshat. Kemi fillu me ndërtimin e Lumbardhit të Deçanit e ku nuk është parë ky lumë për shkak të shumë të parregullsive, vegjetacionit tepër të dendur, e sot jam tepër krenar që është bërë një shëtirore e që është më e veçanta në Republikën e Kosovës e një lumë i punuar me shumë dashni e përkushtim. Kemi vazhdu po ashtu me rrugën Deçan-Plavë, një projekt i nivelit nacional mirëpo që unë kam pas një barrë tepër të madhe si kosto edhe politike për shkak të shumë kontesteve të asaj dhe kësaj kohe. Ne ndërkohë kemi fillu me ndërtu fshatin ‘Belle’, e që jam shumë i lumtur që banorët e atij fshati janë rikthy në vendbanimin e tyre. Kemi ndërtu rrugën për në bjeshkën e Strellcit, kemi ndërtu fshatin turistik ‘Shkëlzen Haradinaj’ që po shkon drejt fundit që është një fshat perlë në Republikën e Kosovës. E kemi shpall ‘Pleqen’ vendbanim, kemi fillu dhe përfundu dy segmente të rrymës nëpër këto bjeshkë që kanë patur një kosto tepër të lartë. Edhe puna të tjera që janë të nivelit më dytësor sa i përket infrastrukturës” tha kryetari Ramosaj.
Kryetari i Deçanit Ramosaj tha se kanë ndërtuar rrugë të panumërta, kanë ndërtuar tetë shkolla të reja dhe se janë e vetmja komunë në Republikën e Kosovës që kanë themelu një ndërmarrje për ambientin.
“Kemi punu rrugë të panumërta, kilometra të tërë nëpër vendbanimet dhe fshatrat tona, trotuare, kemi ndërtu tetë shkolla të reja, jemi e vetmja komunë në Republikën e Kosovës që kemi themelu një ndërmarrje për ambientin që është ‘Higjiena’ dhe projekte të tjera që i detikohen bujqësisë edhe sektorit të shëndetësisë dhe çdo sektor, trashigimia, kultura, arti e deri tek kjo qendër ku e realizojmë intervistën që është ‘koloni’ e artistëve e që kemi emërtu me emrin e heroinës ‘Fiknete Ramosaj'” tha Ramosaj në intervistën e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


