Sporti

Lukaku mesazh emocional tifozëve të Interit: Ju dua, shpresojë të më kuptoni

08/15/2021 14:26
nga:E K

Romelu Lukaku tashmë ka kompletuar transferimin e tij te Chelsea.

Sulmuesi belg u transferua te skuadra angleze për një shumë prej 115 milionë euro të cilën e pagoi Chelsea te Inter për t’a lënë të lirë atë, shkruan GazetaBlic Sport.

Lukaku ka reaguar sot në Instagram me një mesazh emocional drejtuar tifozëve të Interit.

Ai ka shkruar se Interi është një klub i veçantë për të dhe nuk do dëshironte kurrë të dëshpëronte këtë ekip.

“Të dashur tifozë të Interit. Faleminderit …Faleminderit që më doni mua si një prej jush. Faleminderit që më bëtë mua dhe familjen time të ndihemi si në shtëpi. Faleminderit për mbështetjen e pakushtëzuar dhe dashurinë e përditshme. Faleminderit që më motivove edhe më shumë pas sezonit të parë. Kur mbërrita në Inter, menjëherë ndjeva se do të luaja mirë për këtë klub. Dashuria dhe mirëseardhja që mora në aeroportin e Malpensa ishte fillimi i një historie të bukur. Vendosa të mos ju zhgënjej kurrë sa herë që vishja fanellën e Interit. Kam dhënë 100 përqind të vetes çdo ditë, në çdo stërvitje, por veçanërisht në ndeshje, për t’ju bërë të lumtur. Sezoni i parë përfundoi jo edhe aq mirë, por ju djema më dhatë forcën për të vazhduar përpara dhe ne e bëmë atë si ekip, prandaj u bëmë kampionë. Shpresoj se e kuptoni vendimin tim për t’u transferuar te Chelsea. Është një shans i jetës për mua dhe mendoj se në këtë moment në karrierën time, është shansi që kam ëndërruar gjithmonë. Një gjë është e sigurt, se unë do të mbetem një interist përgjithmonë, sepse pa ju nuk do të isha njeriu dhe lojtari që jam sot. Pra, ju falënderoj nga thellësia e zemrës sime. Ju dua. Shumë faleminderit. Gjithmonë, Forza Inter! ”, ka shkruar ai në Instagram.

/GazetaBlic Sport/