Lajme

Lufta në Ukrainë: Pesë të vdekur dhe një milion të tjerë mbesin pa energji elektrike pas valës së sulmeve ruse

03/22/2024 19:03
nga:Y I

Një milion njerëz janë pa energji në të gjithë Ukrainën pasi raketat ruse shënjestruan infrastrukturën energjetike.

Të paktën pesë persona janë raportuar të vrarë dhe 14 të plagosur.

Nuk ka energji elektrike në qytetin e dytë më të madh të Kharkiv, thotë kreu i rajonit, dhe më shumë se 53 mijë familje në Odesa janë pa energji elektrike, shkruan BBC.

Ministri i energjisë i Ukrainës, German Galushchenko, akuzoi Rusinë se po përpiqet të provokojë “një dështim në shkallë të gjerë të sistemit energjetik të vendit”.

Rusia tha se ishte hakmarrje për sulmet e fundit të Ukrainës në territorin rus.

Presidenti, Volodymyr Zelensky tha se vala e fundit e sulmeve tregoi se aleatët perëndimorë duhet të japin më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore.

“Nuk ka vonesa në raketat ruse siç janë në ndihmë për vendin tonë”, shkroi ai në Telegram.