Sporti

Lufta Kundër Dopingut në Sport: Rregullat që Ruajnë Ndershmërinë dhe Pastërtinë e Garimit

01/05/2025 15:39
nga:Lorik J

Lufta Kundër Dopingut në Sport: Rregullat që Ruajnë Ndershmërinë dhe Pastërtinë e Garimit

Shkruan: Prof. Dr. Bernard Tahirbegolli

Në komunitetin e sportit, dopingun shpesh e shohin si proces të përdorimit të substancave ose metodave të ndaluara nga WADA (Agjencia Botërore Anti-Doping) për të përmirësuar performancën sportive, gjë që dëmton integritetin e sportit dhe shëndetin e sportistëve.

Megjithatë, bazuar në Kodin Botëror Anti-Doping, Rregullat Kombëtare Anti-Doping dhe Ligjin për Antidopingun, dopingu përkufizohet si ndodhi e një ose më shumë shkeljeve të rregullave anti-doping.

Cilat janë këto rregulla?

Janë gjithësejt 11 rregulla që duhet të njihen jo vetëm nga sportistët por edhe nga stafi mbështetës i tyre në klube dhe federata, si dhe nga komuniteti i sportit në përgjithësi.

Rregulli i parë: Është e ndaluar të ketë prani të një substance të ndaluar ose metabolitëve të saj ose markerëve të tyre në mostrën e sportistit. Është obligim personal i çdo sportisti për të siguruar që asnjë substancë e ndaluar të mos futet në trupin e tij.

Sportistët janë përgjegjës për çdo substancë të ndaluar ose metabolitëve ose markerëve që gjenden të pranishëm në mostrat e tyre. Nuk është e nevojshme të demonstrohet paramendim, faj, neglizhencë apo përdorim me vetëdije nga ana e sportistit për të provuar një shkelje të këtij rregulli anti-doping.

Cilat janë substancat e ndaluara?

Substancat e ndaluara janë të publikuara në Listën e Ndaluar, që është një Standard Ndërkombëtar i publikuar nga WADA çdo vit më 30 shtator dhe që hyn në fuqi pas tre muajve të publikimit, më 1 janar të vitit pasues. Ajo është një dokument i detajuar që përcakton substancat dhe metodat që janë të ndaluara për përdorim nga sportistët, si gjatë periudhës së garave ashtu edhe jashtë garave.

Ky dokument përfaqëson një nga shtyllat kryesore të sistemit global anti-doping dhe është hartuar për të garantuar konkurrencë të ndershme dhe për të mbrojtur shëndetin e sportistëve.

Lista ndahet në disa kategori kryesore, bazuar në natyrën e substancave dhe metodave të ndaluara si në vijim:

• Substancat e ndaluara gjatë gjithë kohës (në gara dhe jashtë garave): substanca të pa-aprovuara, agjentë anabolikë, hormone peptidike dhe faktorët e rritjes, beta-2 agonistët, modulatorët hormonal dhe metabolik, diuretikët dhe agjentët maskues.

• Substancat e ndaluara vetëm gjatë garave: stimulantët, narkotikët, kanabinoidet dhe kortikosteroidet.

• Metodat e ndaluara: manipulimi i gjakut dhe komponentëve të tij, manipulimi kimik dhe fizik i integritetit të mostrave, dhe dopingu gjenetik.

• Substancat e ndaluara në sporte specifike si qitja dhe golfi: beta-bllokatorët.
Rregulli i dytë: Është e ndaluar përdorimi ose tentativa e përdorimit nga sportisti i një substance ose metode të ndaluar. Është detyrë personale e çdo sportisti të sigurojë që asnjë substancë e ndaluar të mos futet në trupin e tij/saj dhe të mos përdorë asnjë metodë të ndaluar. Ideja prapa këtij rregulli është të parandalohet dhe të mos ketë nevojë për ndëshkim për shkelje të rregullave anti-doping.

Rregulli i tretë: Është e ndaluar shmangia, refuzimi ose mosdhënia e mostrës nga sportisti. Shmangia e dhënies së mostrës ose refuzimi ose mospërmbushja e dhënies së mostrës pa justifikim bindës pas njoftimit nga një person i autorizuar ka pasoja ndëshkuese që fillojnë me dy vjet papranueshmëri. Një testim për kontrollë të dopingut mund të ndodhë kurdo dhe kudo që ndodhet sportisti, në shtëpi, në stërvitje, në kampe apo edhe në gara.

Rregulli i katër: Dështimet në lidhje me vendndodhjen e sportistit. Çdo kombinim i tre (3) analizave të pakryera dhe/ose mosparaqitja, sipas përcaktimit në Standardin Ndërkombëtar për Testime dhe Hetime (ISTI), brenda një periudhe dymbëdhjetë mujore nga një sportist në një Listë të Regjistruar përbënë shkelje të këtij rregulli.

Deklarimi i vendndodhjes është procesi ku sportistët në nivelin elitar të përfshirë në listën e regjistruar për testim deklarojnë në platformën ADAMS të dhëna për vendndodhjen e tyre për periudha të caktuara, çdo tre muaj, për të lehtësuar mundësinë e gjetjes së tyre më të lehtë nga organizata anti-doping për testime jashtë garave. Deklarimi i vendndodhjes vlenë edhe për sporte individuale edhe për ato kolektive.

Rregulli i pestë: Ndalimi i manipulimit ose tentativave të manipulimit me një pjesë të kontrollit të dopingut nga një sportist ose person tjetër. Kontrolli i dopingut është një proces standard që kryhet nga persona të autorizuar dhe të trajnuar, e që kërkon integritet personal dhe profesional. Çdo tentim për devijim të procesit të përcaktuar me Standardin Ndërkombëtar përbën shkelje të këtij rregulli.

Rregulli i gjashtë: Zotërimi i një substance të ndaluar ose i një metode të ndaluar nga një sportist ose person mbështetës i sportistit gjatë garës ose jashtë saj përbën shkelje, përveç kur ai/ajo dëshmon se zotërimi është në pajtim me lejen për përjashtimin e përdorimit terapeutik (PPT). Kjo kërkon transparencë të plotë dhe dokumentim zyrtar nga organet përkatëse.

Rregulli i shtatë: Trafikimi ose tentativa e trafikimit të një substance ose metode të ndaluar është rreptësisht e ndaluar. Organizatat anti-doping bashkëpunojnë me doganat dhe policinë për të identifikuar dhe ndaluar çdo përpjekje për kontrabandim. Çdo individ që lidhet me sportin dhe përfshihet në aktivitete të tilla përballet jo vetëm me pasoja ligjore të tjera, por edhe me masa ndëshkuese nga autoritetet anti-doping.

Rregulli i tetë: Është e ndaluar të bëhet administrimi ose tentativa e administrimit të një substance ose metode të ndaluar tek një sportist gjatë garës ose jashtë saj. Ky rregull synon mbrojtjen e sportistëve, nga keqpërdorimi i qëllimshëm i substancave të ndaluara nga persona të jashtëm.

Rregulli i nëntë: Ndihma ose bashkëpunimi me paramendim për të shkelur rregullat anti-doping është gjithashtu një shkelje. Kjo përfshin fshehjen e informacioneve, mbështetjen, lehtësimin ose çdo veprim që synon të inkurajojë një akt të paligjshëm në kontekstin e dopingut.

Rregulli i dhjetë: Marrëdhëniet e ndaluara midis sportistëve dhe personave të pezulluar ose të shpallur të papërshtatshëm janë të ndaluara. Për shembull, një sportist nuk mund të bashkëpunojë me një sportist tjetër, trajner, fizioteraput ose doktor që është i pezulluar ose i shpallur i papërshtatshëm për shkelje të rregullave anti-doping.

Rregulli i njëmbëdhjetë: Çdo veprim që dekurajon ose pengon raportimin e shkeljeve anti-doping, përfshirë kërcënimet, hakmarrjet ose frikësimin, konsiderohet shkelje e këtij rregulli. Ky rregull synon të mbrojë ata që raportojnë me mirëbesim dhe të inkurajojë transparencën dhe ndershmërinë.

Të gjithë ne, si pjesë e komunitetit sportiv, kemi një përgjegjësi të përbashkët për të mbrojtur pastërtinë dhe ndershmërinë e sportit.

Lufta kundër dopingut nuk është vetëm një detyrë e organizatave anti-doping, por një angazhim kolektiv për një sport të pastër, të drejtë dhe të shëndetshëm.
Le të punojmë së bashku për të edukuar sportistët dhe për të promovuar vlera të qëndrueshme në sport, duke garantuar një të ardhme ku performanca të jetë rezultat i punës së palodhur, talentit dhe integritetit. Sporti pa doping është sport i ndershëm dhe i denjë për t’u ndjekur dhe për t’u admiruar.