Sporti

“Luani me përulësi, përndryshe fus ata të akademisë”, dokumentari “zbulon” nervat e Guardiolës

04/05/2024 22:01
nga:E K

Para disa ditësh, Netflix publikoi dokumentarin dedikuar Manchester Cityt, “The Treble Winners”, teksa një fragment interesant është fjalimi i Pep Guardiolës në momentin kur skuadra u eliminua nga Carabao Cup.

Tekniku spanjoll ia bëri të qartë lojtarëve se duhet të luajnë të përqëndruar përndryshe ai do të aktivizojë lojtarët e akademisë.

“Mendoni se mënyra se si keni luajtur ishte normale? A mendoni sinqerisht se ajo që bëmë sot ishte normale? Për këtë klub? A mendoni se kjo është normale? Për tifozët që udhëtojnë, që nuk kanë para për të paguar ngrohjen në shtëpi dhe megjithatë vijnë këtu për të na mbështetur, a mendoni se është normale të silleni kështu?” Në sfond vetëm heshtja e lojtarëve.

Jo, ekipi im nuk është i tillë. Do të jemi në telashe nëse vazhdojmë të luajmë kështu, më besoni. Nuk e pranoj. Në sport dhe në jetë, gjuha e trupit është e rëndësishme. Dhe kur bën një pasim të gabuar dhe tjetri ankohet ashtu (duke kthyer kurrizin), gjërat nuk mund të shkojnë mirë. Mund të filloni keq, por ju kanë mbetur edhe 80 minuta lojë: Si reagoni? Mbani këmbët në tokë, djema. Punoni më shumë, punoni më mirë. Jini të përulur, jini ambicioz. Ndryshe janë djemtë e Akademisë që janë gati”, tha Guardiola.