Sporti

Luajti baste në ndeshjet e Milanit, çfarë rrezikon Sandro Tonali?

10/18/2023 11:43
nga:Mergim Rreci

Sandro Tonali ka vendosur bast edhe për ndeshje të Milanit! Dhe tani rrezikon një vit pezullim. Futbolli italian është tronditur pas denoncimeve të Fabrizio Coronas, i cili ka zbuluar emrat e Tonali, Zaniolos, Fagiolit dhe Zalewskit si bastexhinj, por jo vetëm.

Ndërkohë që pritet të dalin edhe emra të tjerë futbollistësh, ku nuk mungojnë presidentë klubesh apo menaxherë të ndryshëm.

Mesfushori i Newcastle, skuadër ku u transferua në verë për 80 mln euro, ka pranuar përpara prokurorëve se ka vënë baste. Madje edhe ndeshje të kuqezinjve, ish-skuadrës së tij.Veprim ky që përkeqëson shumë pozitat e 23-vjeçarit. Nëse bastet për Milanin do të konfirmoheshin, dënimi fillestar për Tonalin do të ishte 3 vjet.

Dënim që do të përgjysmohej prej marrëveshjes së pranimit të fajësisë. Teksa mesfushori mund të përfitonte disa rrethana lehtësuese nga fakti që ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar me autoritetet.

Kështu që dënimi përfundimtar i Tonalit mund të jetë rreth 12 muaj skualifikim në fushë dhe 6 muaj dënime alternative, duke qenë se ish-milanisti ka deklaruar gjithashtu se vuan nga varësia ndaj lojërave të fatit.

Ndërkohë, juventini Nicolo Fagioli, i cili pranoi fajësinë dhe arriti marrëveshje me prokurorinë, pranoi një skualifikim prej 7 muajsh dhe 5 muaj dënime alternative.