FC Prishtina sonte luan ndeshjen ndaj Sheriff Tiraspol në Moldavi.
Prishtina dhe Sheriff Tiraspol luajnë me fillim nga ora 19:00, në kuadër të ndeshjes së raundit të parë kualifikues të Europa League, shkruan GazetaBlic Sport.
Ish futbollisti, Lorik Maxhuni ishte pjesë e ekipit të Prishtinës, kur klubi luajti për herë të parë në ndeshjet europiane pas pranimit në UEFA dhe FIFA.
Maxhuni kujton ndeshjet e para të Prishtinës në Europë, teksa thotë se ndihet i përmbushur që e bëri ëndrrën realitet, që të luajë me klubin e qytetit në garat evropiane.
“Për fat të mirë në atë kohë kam qenë pjesë e Prishtinës ku kemi përfaqësuar klubin e qytetit dhe klubin më të madh në Kosovë, FC Prishtinën për herë të parë në histori në ndeshjet kualifikuese europiane. Ishte ndjenjë dhe emocion i papërshkrueshëm, sepse kam arrit që me klubin e qytetit ku kam lindur, ta përfaqësojë në ndeshjet ndërkombëtare”, tha fillimisht Maxhuni për GazetaBlic Sport.
Ish mbrojtësi anësor thotë se futbolli kosovar ka ndryshuar për të mirë, por pret që sonte Prishtina ta ketë një ballafaqim të fortë, me një kundërshtarë që ka përvojë.
“Në këto momente që po flasim futbolli kosovar në përgjithësi ka arri në nivele tjera me kohën kur kemi qenë në Europë. Prishtinën e shoh një skuadër të fortë dhe të konsoliduar, gjithashtu dhe një ekip me më përvojë se vitet e kaluara, por ka përballë një skuadër që ka qenë pjesë e Champions League dhe do jetë shumë e vështirë, por shpresojmë në një rezultat pozitiv”, vazhdoi ai.
Në fund, Maxhuni shpreson që klubi kryeqytetas të ketë suksese në këto kualifikuese, sepse ka krijuar ekip me përvojë.
“Shpresojë shumë që Prishtina të vazhdojë sa më larg në ndeshjet kualifikuese edhe nëse mposhtet nga Sheriffi, sepse ka kriju një skuadër kompetitive me lojtarë që shumica kanë përvojë në Europë”, përfundoi Maxhuni.
/GazetaBlic Sport/


