Superliga e Kosovës është afër përfundimit të stinorit 2022/23.
Kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në përfundimin e këtij stinori tashmë shumica e klubeve kanë mësuar fatet e tyre, shkruan GazetaBlic Sport.
Prishtina ishte në luftë për të dalë në Europë përmes Superligës, por një gjë e tillë tashmë nuk është e mundur as matematikisht, ku klubi nga kryeqyteti do të tentojë që këtë ta arrijë përmes Kupës së Kosovës.
Lojtari i Prishtinës, Ramiz Bytyqi ka folur për ‘GazetaBlic Sport‘ për objektivin e skuadrës së tij për të dalë në Europë pikërisht përmes fitores në finale ndaj Gjilanit.
“Ky sezon tanimë në përfundim ka pasur disa momente të mira dhe disa të këqija për ne , ndoshta edhe për arsyen se jemi grup i rinj i lojtarëve , mirëpo nuk jemi dorëzuar dhe tani jemi në finale të Kupës së Kosovës ku do të tentojmë që të dalim në Europë përmes fitores në këtë finale.
Është e vërtetë që në fillim hasëm në vështirësi në rezultate, por duke mos munguar loja e mirë dhe angazhimi që pastaj u shpërblye edhe me rezultate që duhet falenderuar edhe trajnerin Ismet Munishi, por duhet falenderuar edhe trajnerin Debatik që po bënë një punë mjaft të mirë.
Në çdo ndeshje shkojmë për fitore do japim maksimumin nga vetja që këtë sezon ta mbyllim sa më mirë që të jetë e mundur“, përfundoi ai për ‘GazetaBlic Sport’.


