Lajme

“Llugë” në Mitrovicë, nga ndërprerja te urdhërimi, çka ndodhi me numërimin e votave?

11/11/2025 09:19
nga:G B

“Llugë” shkoi mbrëmë në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut.

Kjo pasi u ndërpre procesi i numërimit të votave nën dyshimin për manipulim dhe keqpërdorim të tyre.

Gazetari korrespondent nga ky qytet, Urall Boshnjaku, tha se në këtë komunë janë ngritur dyshimet edhe për ‘trenin bullgar’.

Në një lidhje direkte në emisonin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Boshnjaku shtoi se zyrtarët e partive politike në QKN-në në Mitrovicë, kanë evidentuar fletëvotime që nuk përkonin me qendrat e votimit ku ndodheshin ato.

“Hetuesia ka nisur ta hetojë problemin. Menjëherë pas hetuesisë në vendin e ngjarjes ka arritur prokurori, Shpëtim Peci, i cili menjëherë pasi ka urdhëruar vazhdimin e procesit është larguar prej aty, por zyrtarët e PDK-së bashkë me anëtarët e koalicionit nuk kanë pranuar të vazhdojnë me procesin e numërimit, pasi sipas tyre ka pasur shumë parregullsi”, tha Boshnjaku.

Lidhur me këtë çështje,u deklarua mbrëmë edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

KQZ ka deklaruar se fletëvotimet e dyshuara kanë qenë një gabim teknik.

“Pas shqetësimeve të ngritura në opionin lidhur me zhvillimet gjatë procesit të verifikimit të rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës së Jugut, KQZ sqaron: Bazuar në informatat e pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut, është konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit”, tha KQZ në njoftimin për media.

E krejt në mesnatë, Prokuroria Themelore në Mitrovicë urdhëroi ndërprerjen e përkohshme të procesit të numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut.

Në njoftim u tha se vendimi është marrë pas raportimeve për parregullsi në disa fletëvotime, ku janë vërejtur numra serikë të ndryshëm.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se ka urdhëruar që përkohësisht të ndërpritet procesi i mëtejmë i numërimit të fletë votimeve në Qendrën Komunale të Numërimit në komunën e Mitrovicës.

Kjo ka ardhur si pasojë e raportimit të parregullsive të paraqitura që kanë rezultuar me ndërprerjen e votimit nga ana e komisionerëve, për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime, ku është aluduar për gabime teknike, e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletë votime.

Për këto arsye, dhe me qëllim të shmangies të të gjitha dilemave, kjo urdhëresë vlen deri në marrjen e një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletë votimet, e ku do të konfirmohet se a kemi të bëjmë me gabim teknik apo me manipulim të fletë votimeve, dhe varësisht nga përgjigja e marrë do të procedohet tutje”, deklaroi Prokuroria.