Pas përfundimit të ndeshjeve të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, sot në Nyon të Zvicrës do të tërhiqet shorti për ndeshjet e plejofit të fazës nokaut.
Shorti i Ligës së Kampionëve tërhiqet nga ora 12:00.
Në short janë të përfshirë skuadrat që kanë përfunduar nga vendi i nëntë deri në vendin e 24-t në fazën e ligës.
Tetë skuadrat e para të fazës së ligës avancuan direkt në një të tetën e finales. Ato janë Arsenali, Bayern Munichu, Liverpooli, Tottenhami, Barcelona, Chelsea, Sportingu dhe Manchester City.
Bartës të shortit të premten në Champions janë Real Madridi, Interi, PSG-ja, Newcastle, Juventusi, Atletico Madridi, Atalanta dhe Leverkuseni. Ndërkohë, ekipet jo bartëse në short janë Dortmundi, Olympiacosi, Club Brugge, Galatasaray, Monaco, Qarabagu, Bodo/Glimti dhe Benfica.
Klubet e vendit të nëntë dhe të dhjetë do të kenë përballë ekipet e vendit 23 apo 24. Klubet e pozitës 11 apo 12 do të luajnë ndaj klubeve të vendit 21 apo 22, ekipet e renditura në vendin e 13 apo 14, do të luajnë ndaj ekipeve të vendeve 19 apo 20 dhe klubet e vendeve 15 apo 16, ndaj klubeve të vendeve 17 apo 18.
Në plejofin e fazës nokaut mund të ballafaqohen edhe ekipet e shteteve të njëjta. Përparësi e skuadrave bartëse në short është se ndeshjet kthyese do t’i luajnë në shtëpi.
Ndeshjet e para luhen më 17 apo 18 shkurt, kurse ato kthyese më 24 apo 25 shkurt.
Tetë skuadrat që avancojnë nga plejofi i fazës nokaut, do t’u bashkohen skuadrave që janë kualifikuar direkt në 1/8 e finales. Më pas nëpërmjet shortit më 27 shkurt, do të mësohet edhe rruga drejt finales, që më 30 maj luhet në Budapest të Hungarisë.

